Me debate është shoqëruar mbledhja e sotme e Komisionit të Ligjeve, ku diskutua ligji për prodhimin dhe shitjen e armëve ku duket se maxhoranca po bëhet gati të kanalizojë shuma të majme te biznesmenët pranë saj, siç ka denoncuar deri më tani Korrieri, të cilët janë edhe përfituesit më të mëdhenj të tenderëve të armëve.
Nënkryetarja e Komisionit të Ligjeve Dhurata Çupi, debatoi ashpër me socialistët në lidhje me ligjin për krijimin e një shoqërie shtetërore për prodhimin e armëve, duke argumentuar se po shkelen të gjitha procedurat. Çupi në debat e sipër me Klotilda Bushkën, tha se nuk ka asnjë studim dhe vlerësim se çfarë fiton shteti në këtë çështje, ndërsa tha se nuk ka as vlerësim për pronat e ushtrisë që do t’i përdorni për këtë shoqëri.
“Ligji për krijimin e një shoqërie shtetërore për prodhimin e armëve së pari shqyrtohet pa respektuar procedurën dhe afatet e rregullores së Kuvendit. Rregullorja përcakton afatin e shqyrtimit pasi të kenë kaluar 2 javë nga depozitimi. Se dyti; kjo shoqëri do të bazohet në një projektligj që ende nuk është miratuar në Kuvend. Një turp! E treta një shoqëri që krijohet pa përcaktuar sa përqindje do të këtë partneri jo publik në këtë shoqëri. Perse ju duhen 6.5 milionë euro për krijimin e kësaj shoqërie? Perse nuk keni përcaktuar sa janë vlerësuar pronat e ushtrisë që do ti përdorni për këtë shoqëri? Ky ligj është klientelist, i porositur, dhe akti i radhës i kësaj mazhorance për të krijuar një skemë vjedhje. Ju po vidhni leket e shqiptareve për t’i përdorur për partinë shtet nesër në zgjedhje”,-tha Çupi.
Qeveria do të ngrejë Agjencinë e Industrisë së Mbrojtjes (AIM) e cila në mënyrë ekskluzive do të licencojë subjektet për prodhimin dhe tregtimin e armatimit ushtarak ndërsa pr/ligji ka për qëllim garantimin e kontrollit dhe mbikëqyrjes së këtyre aktiviteve si dhe rregullimin e veprimtarisë të të gjithë subjekteve që veprojnë në territorin e Republikës së Shqipërisë. Votimi i projektligjit për prodhimin e armëve do të bëhet me 25 korrik, pavarësisht kundërshtimit të opozitës. Në pr/ligj thuhet se kompanitë duhet të investojnë të paktën 25 mln euro dhe duhet të planifikojë një investim të drejtpërdrejtë brenda vitit të parë të aktivitetit prej 5 milion Euro. Drejtori, struktura dhe organika e Agjencisë së Industrisë së Mbrojtjes miratohen me urdhër të kryeministrit e propozim të ministrit të Mbrojtjes.
Gazeta do ta ndjekë këtë çështje në vijim pasi pas inceneratorëve duket të jetë një tjetër llokmë e madhe korrupsioni…..! /Gazeta Korrieri