Komisioni i Ekonomisë është mbledhur ditën e sotme për të diskutuar “Për krijimin e shoqërisë shtetërore për prodhimin dhe tregtimin e armëve, municioneve, pajisjeve dhe teknologjive ushtarake”.
Gjatë kësaj mbledhje ka mbajtur fjalën dhe deputeti PS, Erion Braçe, i cili ka pyetur zyrtarët e Ministrisë së Mbrojtjes se cila është strategjia e sigurisë.
Deputeti i PS u shpreh se më parë lidhur me kompanitë e armëve, kemi pasur “në kurriz ngjarje të tmerrshme”, siç e ka quajtur ai.
“Ju thatë që likujdohen ndërmarrjet ushtarake Gramsh dhe Poliçan?! Çfarë ndodh me këto pas këtij momenti. Duhet pasur parasysh jo vetëm lehtësia e këtij biznesi, ne kemi mbi kurriz ngjarje të tmerrshme dhe duhet menduar dhe siguria. Prandaj po pyes ku do të shkojë?”, tha ai.
Zëvendës ministri i Mbrojtjes, Dorian Tola është shprehur se prioriteti i parë kur është ndërtuar ligji ka qenë siguria duke renditur garancitë e sigurisë, që sipas tij janë bazuar në rregullat e NATO-s.
”Aktivi i tyre i kalon shoqërisë private me të gjitha asetet që ka. Ne kemi pasur sigurinë në mendje kur kemi menduar këtë ligj. Një pjesë e atyre që do vijnë nuk do të shkojnë në vendet e larta sepse do duan të jenë afër infrastrukturës së zhvilluar, afër pikave të transportit, porteve, hekurudhave apo të gjitha pikave që kanë mundësi të qarkullojnë më lehtësisht mallrat. Nga ana tjetër përsa i përket sigurisë, prioriteti ynë është që këto zona do të kenë garancinë e sigurisë duke u mbështetur në disa konsulta të vazhdueshme sipas rregullave strikte të NATO-s dhe në strategjinë e sigurisë kombëtare”, tha Tola.
Drafti nuk hasi kundërshtime nga deputetët, por për demokraten Jorida Tabaku ishte shqetësim futja e subjekteve private në një industri si ajo e armëve.
“Po flasim për sigurinë kombëtare. Nëse shteti do të jetë krijuesi 100%, si do të jetë formula e hyrjes së aksionerëve të tjerë? 3 mln euro nuk është mjaftueshëm. Ne nuk jemi këtu për tigra prej letre. Duhet të jemi seriozë, nëse kjo ka lidhje me qëllimet e NATO-s. Unë jam kundër që ky ligj po hyn me votim të përshpejtuar”, u shpreh Tabaku.