Detaje të reja janë bërë me dije në lidhje me skemën e mashtrimit në Lezhë, ku Shkëlqim Domi, Saimir Sallaku dhe Shefik Kurti, kanë mashtruar biznesmenin Ylli Ujkaj, i cili është dhe president i ekipit të basketbollit ‘Besëlidhja’, duke i marrë 15 mijë euro në emër të kryebashkiakut të Lezhës, Pjerin Ndreu. Ata kanë komunikuar në aplikacionin “Signal” me biznesmenin dhe janë prezantuar si miq të Ndreut. I gjendur në këtë situatë, Ujkaj u ka dhënë shumën.
Por treshja nuk e ka lënë me kaq. Pasi kanë futur në “rrjetën” e tyre Ylli Ujkajn, kanë tentuar të mashtrojnë një tjetër person, tashmë në Tiranë. Ngjarja ka ndodhur tre ditë pasi i morën 15 mijë euro, presidentit të ekipit të basketbopllit “Besëlidhja”. Por ndryshe nga Ujkaj, këtë herë ata i kishin kërkuar 20 mijë euro.
Në lidhje me ngjarjen, Policia ka vënë në pranga Shkëlqim Domin dhe Saimir Sallakun, ndërsa Shefik Kurti është shpallur në kërkim. Për skemën e mashtrimit, ku përmendej emri i tij, ka reaguar dhe kryetari i Bashkisë së Lezhës, Pjerin Ndreu. Përmes një postimi në rrjetet sociale, Ndreu shkruan se të gjithë ata që kanë rënë pre e mashtrimit të denoncojnë rastin në polici.
POSTIMI I PJERIN NDREUT:
Nje mik, biznesmen nga Lezha, ka rene pre e nje mashtrimi, ku disa shtetas, te panjohur per mua, kane perdorur emrin tim per ti marre para! Para ca ditesh ne e kapem situaten, denoncum, dhe u be e mundur kapja e autoreve nga ana e Policise Lezhe! Nese ka persona te tjere qe kane rene pre e ketij mashtrimi, ju lutem te denonconi ne polici.
Çfarë thotë Policia e Lezhës:
Seksioni për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Financiare, pas kallëzimit nga një shtetas, se i kishin marrë një shumë parash me anë të mashtrimit nëpërmjet një aplikacioni, kanë nisur hetimet me metoda proaktive, në drejtimin e Prokurorisë, për zbardhjen e këtij rasti dhe për identifikimin e shtetasve të përfshirë. Si rezultat i veprimeve hetimore të kryera në kuadër të operacionit policor të koduar “Imposter”, u ndaluan shtetasit:
Shkëlqim Domi 35 vjeç dhe Saimir Sallaku 37 vjeç, të dy banues në Shijak.
Gjithashtu, u shpall në kërkim shtetasi Shefik Kurti 63 vjeç, banues në Itali.
Nga veprimet hetimore dyshohet se shtetasit Shkëlqim Domi dhe Saimir Sallaku në bashkëpunim me shtetasin Shefik Kurti më datë 14.07.2024, kanë përfituar 15 000 euro, nga administratori i një operatori ekonomik, duke komunikuar me të në aplikacionin “Signal”, në emër të përfaqësuesve të institucioneve vendore. Më datë 17.07.2024, ata kanë tentuar të përfitojnë një tjetër shumë të madhe parash, nga ky shtetas, me anë të së njëjtës skemë.
Në bashkëpunim me strukturat hetimore të DVP Tiranë, vijojnë hetimet për zbardhjen e një rasti të ndodhur një Tiranë, ku këta shtetas kanë tentuar të përfitojnë 20 000 euro, nga një shtetas, me anë të kësaj skeme mashtrimi.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Lezhë, për veprën penale “Mashtrimi” me pasoja të rënda, kryer në bashkëpunim