Lajmërimi për atë që mund të kishte përfunduar në një vrasje, e që aktualisht po i rrezikon jetën 26-vjeçari Enea Themollarit u dha në “TikTok”.
E dashura e të penduarit të drejtësisë Amarildo Nikollit, Xhovana Nikolli i kërkoi publikisht të penduarit tjetër të drejtësisë Nuredin Dumanit që të kontrollonte të dashurën e tij, duke ngritur disa pikëpyetje lidhur me atë që ka ndodhur.
“O Nuredin Dumani të bëj thirrje ta mbash të dashurën tënde ti, se po ta kapa këtu nëpër Itali se ke idenë ça mund ti bëj…”, shprehej Xhovana.
Edhe pse nga Lezha, e reja, bashkë me të motrën e saj duket se ishte vendosur që të jetonte me qera në Elbasan, por vazhdonte “luftën” në të cilën e kishte përfshirë jashtë i dashuri i saj.
Amarildo Nikolli pret dënimin për një tentativë vrasje, ndërsa jashtë e dashura përballet me kundërshtarët e tij. Të paktën kështu ka deklaruar disa herë në disa dalje televizive që ka pasur.
Një muaj më parë, në paraqitjen e saj në “Kojshia Show”, Xhovana zbuloi se është kërcënuar për shkak të përfshirjes të së dashurit të saj në botën e krimit, por kërkoi që të mos jepte më detaje.
Biseda me moderatorin:
Kërcënime a ke pasur meqë je e dashura e Amarildos?
– Nuk kisha pas qejf me i prek këto tema!
A ke pasur apo jo?
-Po edhe kemi pasur!
Kështu që shpesh herë, ka dhënë mesazhe në rrjetet e saj sociale, siç ishte edhe rasti i fundit ku thirrjen ia drejtonte Nuredin Dumanit, por është e paqartë sesi mesazhi mund të përcillej. Aktualisht, Nuredin Dumani ndodhet brenda në burg dhe po ashtu pret dënimin e tij pasi hapi “kutinë e pandorës” për botën e krimit në Shqipëri duke rrëfyer një sërë ngjarjes kriminale që kanë tronditur vendin. Por, po ashtu, është e paqartë sesi lidhet Amarildo Nikolli me Dumanin, e po ashtu, edhe të dashurat e tyre.
Teksa Policia heton këtë lidhje mes tyre, vetë Xhovana duket se nuk ka agjë për të thënë në Komisariatin e Elbasanit. E reja kërkon të shkojë “më lart“.
Teksa tentuan ta merrnin në pyetje, e reja është shprehur se shpjegime do t’i japë vetëmStrukturës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar.
Kjo pasi, sipas saj, problemi është i madh! Megjithatë, pretendon se derisa ta marrë në pyetje SPAK, do vazhdojë të heshtë.
Ndërkohë nga e gjithë kjo përplasje, deri tani e pakuptimtë mes të dashurave të “të fortëve”, i lënduar ka mbetur një i ri krejt i pafajshëm.
Enea Themollari ka marrë dëmtime të rënda në kokë dhe aktualisht ndodhet në gjendje të rëndë në spitalin e Traumës në Tiranë dhe po lufton për jetën e tij.