Kreu i SPAK, Altin Dumani, gjatë raportimit në Kuvend ka treguar qytetet ku janë më aktive grupet kriminale në vend, teksa u shpreh se vrasjet janë më të shpeshta në Durrës, Fushë Krujë, Fier, Vlorë, Shkodër dhe Elbasan.
Drejtuesi i Prokurorisë së Posaçme theksoi se në kryeqytet dhe qytete të tjera bregdetare grupet kriminale kryesisht janë të orientuara më shumë drejt pastrimit të parave.
“Analiza e tregjeve kriminale në Shqipëri tregon një situatë shqetësuese me grupe aktive në qytete si Tirana, Durrësi, Vlora, Gjirokastra, Fieri, Shkodra, Elbasani, Kurbini dhe Fushë Kruja.
Në Tiranë dhe qytete të tjera bregdetare, grupet kriminale kryesisht janë të orientuara më shumë drejt pastrimit të parave. Trafiku i narkotikëve është një problem në Durrës, Vlorë, Gjirokastër, Fier dhe Kurbin. Durrësi, Shkodra, Laçi dhe Fushë-Kruja, është evidentuar korrupsioni i funksionarëve të drejtësisë.
Vrasjet dhe vrasjet e mbetura në tentativë janë të shpeshta në Durrës, Fushë Krujë, Fier, Vlorë, Shkodër dhe Elbasan.
Në Fushë-Krujë është e pranishme tregtia e armëve, lëndëve shpërthyese, por dhe makinave të vjedhura të cilat shërbejnë si mjete për kryerjen e vrasjeve”, tha Altin Dumani.
Është interesant fakti se ndërkohë që grupet e përmendura nga Dumani në qytete të ndryshme të vendit janë të njohura, deri më tani në media nuk është publikuar asgjë për zonën e Gjirokastrës, e cila sipas SPAK renditet lartë sa i përket kriminalitetit të grupeve.