Një ngjarje e paprecedentë ka ndodhur gjatë natës së shkuar në Elbasan.
Një sasi tritoli e vendosur në derën e apartamentit të dy motrave ka shpërthyer dhe për pasojë ka mbetur i plagosur rëndë fqinji i tyre që banonte përballë, por burimet mediatike bëjnë me dije se ai nuk ishte objektivi i atentatit.
Shpërthimi ka ndodhur rreth orës 02:30, në lagjen “Haxhias”, në derën e hyrjes në pronësi të shtetasit B. B., 59 vjeç, në të cilën jetonin me qira dy motra nga Lezha të cilat dyshohet se janë objektivi i atentatit me tritol të vendosur në katin e katërt të pallatit.
I plagosur ka mbetur 26-vjeçari identifikuar si Enea Themollari, i cili ndodhet në gjendje të rëndë në Spitalin e Traumës në Tiranë.
Mes lotësh babai është shprehur se djali i tij ndodhet në intubim, teksa u lutet mjekëve t’i shpëtojnë jetën.
“Djali është në intubim, është dëmtuar në kokë, i ra dera në kokë. I lutem doktorëve të më shikojnë çunin. Vajzat nuk i njihja, komshije. Shpërthimi ishte shumë i foertë. Unë në gjumë isha, çunin e pashë në tokë, dera është ndarë përgjysmë”, thotë babai i 26-vjeçarit për mikrofonin e Top Channel.
“Më merr telefon komshia në 03:30 të mëngjesit. Me thotë na kanë vendosur tritol dhe na janë hapur dyert. Këtu e kishte rrethuar policia. Më eshtë shkatërruar shtëpia, gocat nuk kishin probleme, dukeshin të mira“, tha një banore tjetër e pallatit ku ndodhi shpërthimi.
Njëra prej motrave punonte në Elbasan dhe kishin dy muaj që jetonin aty. Të gjitha dyshimet e policisë shkojnë në një konflikt të mbartur nga qyteti i tyre ku dikush mund t’i ketë përndjekur.
- Çfarë njofton policia për ngjarjen?
“Rreth orës 02:30, në lagjen “Haxhias”, në koridorin e katit të 4-t të një pallati në derën e hyrjes në pronësi të shtetasit B. B., 59 vjeç, në të cilën jetonin me qira dy shtetase ka shpërthyer një sasi lënde e dyshuar plasëse.
Si pasojë janë shkaktuar dëme materiale. Ndërkohë po nga shpërthimi është dëmtuar aksidentalisht nga dera e dhomës së tij shtetasi E. Th., rreth 26 vjeç, i cili banon në hyrjen përballë. 26-vjeçari momentalisht është jashtë rrezikut për jetën.
Është ngritur një grup i posaçëm hetimor me specialistë për Hetimin e Krimeve të Rënda të Drejtorisë Vendore të Policisë Elbasan dhe Departamentit të Policisë Kriminale në drejtimin e Prokurorisë, vijojnë punën për zbardhjen e rastit, identifikimin e kapjen e autorit/ve”, njofton policia.