Hetimi për abuzimet e mbi 30 mijë qytetarëve me skemat e mikrokredive ka nisur që më shkurt të vitit 2020, por Prokuroria e Tiranës ka vendosur të lëshojë masat e arrestit 4 vjet më pas. Në një kallzim që ministri i Drejtësisë Ulsi Manja ka bërë në Prokurorinë e Tiranës, thuhet se gjatë kohës së hetimeve zhvatja ndaj qytetarëve është zgjeruar dhe sofistikuar, duke arritur deri në marrjen e pronave të qytetarëve që kishin mbetur debitorë për vlera qesharake.
Një investigim i BIRN një ditë më parë tregoi rrugën që kishte bërë hetimi i kallzuar fillimisht nga ish-ministrja e Drejtësisë, Etilda Gjonaj:
* Në shkurt të vitit 2020 dërgohet kallëzimi nga Etilda Gjonaj;
* Në vitin 2021 çështja dërgohet për kompetencë të SPAK nga dy prokurorët Arben Agovi dhe Ndini Tavani;
* Po këtë vit SPAK e kthen sërish në Prokurorinë e Tiranës për moskompetencë. Në krye të Strukturës së Posaçme Antikorrupsion në atë kohë ishte prokurori Arben Kraja.
* Në prill 2024 një kallzim i bërë nga qyetarët disa muaj më parë për çështjen e mikrokredive pranë prokurorit Leonard Filopati dërgohet për hetime në SPAK i cili tashmë ka drejtues Altin Dumanin. Hetimi kërkon të verifikohen nëse ka shpërdorim detyre nga ana e guvernatorit Gent Sejko.
* Këtë herë dosja nuk kthehet më mbrapsht dhe SPAK deklaron zyrtarisht se është në fazën e hetimeve paraprake.
* Pas kësaj lëvizjeje, dy prokurorët që mbanin prej vitesh çështjen në sirtar dalin me një vendim dhe kërkojnë masa sigurie për 9 persona të përfshirë në skemën MCA-Final.
* Dy javë më pas ministri Ulsi Manja kallzon në prokurorinë e Tiranës 14 persona të tjerë të përfshirë në këtë skemë, mes të cilëve administratorë dhe përmbarues.
Disa pyetje që lindin natyrshëm janë se si ka mundësi që Ministria e Drejtësisë të presë që përmbaruesit të tjetërsojnë mijëra prona dhe të mos marrë masa për t’i hequr licencën, por pasi MCA dhe Final sekuestrohen vendos të bëjë kallzimin penal?
Si ka mundësi që disa përmbaruesve të kallzuar iu është hequr licenca 1 vit më parë për shkelje të natyrës penale, por kallzohen penalisht pas 1 viti?
Si ka mundësi që SPAK njëherë deklaron mos kompetencë për të hetuar aferën, qoftë dhe si grup i strukturuar kriminal apo si korrupsion dhe kur ka në krye një tjetër drejtues nis hetimet dhe e merr në shqyrtim çështjen?
Çfarë kanë të përbashkët Ulsi Manja dhe Arben Kraja? Sepse në bazë të deklaratave të pasurisë së të dy zyrtarëve të lartë, vihet re se të dy kanë bashkëshortet të punësuara si përgjegjëse sektori në Bankën e Shqipërisë.
Të gjitha këto pikëpyetje meritojnë një përgjigje që e vërteta të dalë në shesh, përgjegjësit para drejtësisë dhe fatkeqësia e mijëra familjeve shqiptare me këtë skemë gllabëruese të marrë fund. Rasti i Pal Trashaj duhet të jetë këmbanë alarmi për të gjithë ata që mbyllën sytë e veshët para tragjedisë që luhej live në kurriz të shqiptarëve./vna