1 muaj pasi masa i ishte ndryshuar në arrest shtëpie, anëtari i Komisionit të Dhënies së Koncesionit për inceneratorin e Tiranës, Namik Simixhiu rikthehet në qeli por kësaj here me 2 akuza të reja.
Ndërkohë u pikas një element i ri në njoftimin që Gjykata Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar shpërndau në komunikimin e sotëm për mediat. GJKKO njofton ndryshimin e vendimit për Namik Simixhiun dhe kthimin e tij në burg, ndërkohë që sqaron akuzat ndaj Simixhiut i cili u arrestua nga SPAK në 9 dhjetor të vitit 2023 bashkë me zyrtarë të tjerë të bashkisë Tiranë.
GJKKO njofton se Simixhiu është i dyshuar për 3 akuza, “shpërdorim detyre” kryer në bashkëpunim të veçantë në formën e grupit të strukturuar kriminal, sipas 3 neneve të Kodit Penal, nenit 28, 248 dhe 334.
“Vazhdimin e zbatimit të masës së sigurimit personal shtrëngues të “arrestit në burg” për të hetuarin z. N.S., caktuar me vendimin nr. 134, datë 07.12.2023, i dyshuar për kryerjen e veprës penale “Shpërdorimi i detyrës” kryer në bashkëpunim të veçantë në formën e grupit të strukturuar kriminal, sipas neneve 28, 248, 334 të Kodit Penal.“-thuhet në vendim.
Ndërkohë që në vendimin e datës 09 dhjetor 2023, SPAK, sqaronte se Simixhiu i arrestuar në atë kohë bashkë me Etleva Kondin, Taulant Tushen, Erjon Muratajn dhe disa nga anëtarët e tjerë të Komisionit të dhënies së Koncensioneve për inceneratorin e Tiranës, akuzoheshin vetëm për shpërdorim detyre.
“-Shtetasit Pëllumb Abeshi, Erjon Murataj, Etleva Kondi, Alba Thoma, Bledar Karoli, Valbona Ballgjini, Sidita Temali, Taulant Tusha, Namik Simixhiu, Silena Tola, Jetmir Llapaj, dyshohen se kanë konsumuar veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”, në bashkëpunim, parashikuar nga neni 248, 25 të Kodit Penal.“-njoftonte SPAK në 09 dhjetor 2023.
NJOFTIMI I SPAK (09.12.2023)
Ende është e paqartë përse akuzat për Simixhiun janë rënduar por qartësisht shihet se në këtë rikthim në burg, ka rënë neni 25 i Kodit Penal dhe janë shtuar dy nene të reja si 28 dhe 334, duke e çuar zyrtarisht në gjykim me akuzën e shpërdorimit të detyrës kryer në bashkëpunim në formën e grupit të strukturuar kriminal.
Ndryshimi i akuzës rëndon pozitat e zyrtarëve të arrestuar për shkelje dhe abuzim me procedurat që i dhanë dyshes Mirel Mërtiri dhe Klodian Zoto koncesionin për ndërtimin e inceneratorit të Tiranës, një vepër e cila ende nuk është ndërtuar.
Namik Simixhiu ishte pjesë e Komisionit që do të duhet të vlerësonte dokumentacionin për ndërtimin e Inceneratorit të Tiranës nga ITS, koncesion i fituar nga “Integrated Energy B.V SPV”, një shoqëri tregtare pas të cilës Prokuroria thotë se fshihet Zoto dhe Mërtiri, një investim që do të duhet të kapte vlerën e 128 milionë eurove.
Përbërja e komisionit për koncesionin e Inceneratorit të Tiranës, kryetare kishte Valbona Ballgjinin dhe anëtar: Pëllumb Abeshin, Erjon Muratajn, Sidita Temalin, Etleva Kondin, Taulant Tushën dhe Namik Simixhiun.
Më konkretisht, Anëtarët e Komisionit ku përfshihej edhe Simixhiun i dhanë bonusin ITS pa hartuar një raport përmbledhës ku do të duhet të sqaroheshin kostot e projektit. Ata gjithashtu pajisën Zoton dhe Mërtirin me të gjithë dokumentacionin që duhej për tu shpallur fituesë. Edhe dokumentet standarte të kritereve të këtij koncesioni nuk u hartuan nga Anëtarët por nga Zoto, i cili kishte akses të plotë në sistem.