DOKUMENTI/ Pal Trashaj vrau veten për një kredi te NOA , MCA gënjen, si fshihen pas detajeve
Vdekja e Pal Trashajt pas kredisë te NOA sha dhe presionit nga MCA ka shokuar opinionin publik, pasi publikisht është shënuar viktima e parë e kioskave të kredidhënies dhe kompanive të mbledhjes së kredive të këqija.
Edhe pse nuk duhet të operojnë më si kompani, sërish “MicroCreditAlbania” ka gjetur një mundësi reagimi për 63-vjeçarin që zgjodhi t’i jepte fund jetës duke pirë fotoksinë para dyerve të Strukturës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar. Por fatkeqësisht ndërroi jetë sot në mëngjes në spital.
Disa orë më vonë, duket se MCA ka përpiluar një shkrim që e ka shpërndarë në media, të cilat i akuzon se përdorin emrin e institucionit me dashakeqësi, edhe pse aktualisht janë në skedën e Prokurorisë së Tiranës për mashtrim. Për më tepër që ishte vetë i ndjeri Trashaj, ai që i akuzonte publikisht se i kishin sekuestruar me pa të drejtë pasuritë.
Në shkrimin e tyre të gjatë, ku kanë bashkangjitur dokumentat që kanë lidhur me të dhënat e viktimës (i cili fatkeqësisht nuk mundet që të replikojë më), nisin me një sqarim sesi funksionojnë në vend kompanitë e mbledhjes së kredive të këqija.
Madje me mburrje shkruajnë se falë tyre në vend u ul numri i kredive të këqija, nga 25 në 4%.
“Na ka bërë shumë përshtypje që ndonëse një numër i konsiderueshëm mediash publike kanë drejtuar gishtin mbi ne sa i takon rastit fatkeq të z.Pal Trashaj, deri në momentin e hartimit të kësaj deklarate asnjë media dhe asnjë gazetar nuk i është drejtuar institucionit tonë për shpjegime apo sqarime mbi praktikën e z.Pal Trashaj,“-shkruan MCA, kur në fakt ishte vetë i ndjeri që i akuzonte për padrejtësi, madje dhe u vetëflijua për pretendimet e tij që nuk i dëgjoi askush veç mediave.
Më tej, vazhdojnë duke shkruar se që prej janarit 2023 kishin urdhëruar heqjen e sekuestrove mbi llogaritë dhe asetet e të ndjerit, duke pretenduar se kishte 18 muaj “i lirë” pa asnjë bllokim. Më pas, “topin” e kalojnë tek drejtësia, duke u shprehur se Kodi Civil i Republikës së Shqipërisë ka mbrojtje për kreditorët e këqinj. Siç supozohet të jetë në këtë rast 63-vjeçari.
“Kompania jonë ka asgjesuar tërësisht ekzistencën e “arkës së kompanisë”, pra kompania jonë nuk ka fare arkë ku mund te shlyhen detyrimet. Këtë vendim drastik ne e kemi ndërrmarë që në fillim pikërisht me qëllimin që të mos kishte asnjë shteg apo mundësi që kredimarrësit me probleme të hynin në tentativa për favore me punonjësit tanë jashtë kornizës ligjore apo te keqinterpretohej procesi shlyerjes se borxheve. Ka zero mundësi ligjore që kompanitë e likujdimit të borxheve të këqija apo përmbaruesit të mbajnë peng ose të luajnë me faktorin “zvarritje” në kurriz të kredimarrësit. Për sa më sipër, garantojmë të gjithë qytetarët e indinjuar ndoshta me të drejtë se kompania MCA në asnjë moment nuk ka tejkaluar kompetencat e saj,”-shkruhet ndër të tjera në reagimin zyrtar të MCA.