Abuzoi me pajisjet e SPAK , mobileri Prestigj përjashtohet nga tenderat
Shoqëria “Glori Projekt”, e njohur më shumë me emrin tregtar “Mobileri Prestige” është përjashtuar për 18 muaj nga pjesëmarrja në tendera, pasi ka paraqitur të dhëna të rreme për t’u shpallur fitues në një tender për moblijet e SPAK-ut dhe të BKH-së.
Vendimi është marrë nga Agjencia e Prokurimit Publik në 26 qershor 2024.
Në Korrik të vitit 2020, Sekretari i Përgjithshëm i Ministrisë së Brendshme në atë kohë, Plarent Ndreca, shpalli një tender me fond mbi 600 milionë lekë të vjetra për mobilimin e zyrave të Strukturës së Posaçme Anti-Korrupsion (SPAK) dhe të Byrosë Kombëtare të Hetimit (BKH).
Dy institucionet sapo ishte krijuar dhe kishte nevojë imediate për të vënë në funksionim zyrat.
Tenderi u fitua nga shoqëria “Glori Projekt”, e njohur ndryshe me emrin tregtar “Mobileri Prestige”. Kontrata u nënshkrua në Tetor 2020, në një kohë që Sekretari i Përgjithshëm në Ministrinë e Brendshme sapo ishte miratuar Elena Pici sipas boldnews.
Shoqëria në pronësi të Arian Hasanit është ndër më të njohurat në tregun e mobilerisë shqiptare dhe shpallja e saj fituese në tenderin për pajisjet ndihmëse të SPAK-ut BKH-së mund të mos bënte shumë përshtypje.
Por, një auditim i zhvilluar nga Kontrolli i Lartë i Shtetit (KLSH) në Ministrinë e Brendshme, krijoi dyshime se kompania “Glori Projekt” kishte paraqitur të dhëna të pasakta.
Rasti iu përcoll Agjencisë së Prokurorimit Publik (APP), si struktura që ka tagrin për të zhvilluar hetim administrativ mbi procedurat tenderuese të përfunduara.
Hetimi administrativ
Agjencia e Prokurimit Publik (APP) thotë se “procedimi administrative ndaj operatorit ‘Glori Projekt’ ka nisur për keqinformim dhe për dorëzim të dokumenteve që përmbajnë të dhëna të rreme për qëllime kualifikimi, referuar raportit të auditimit të KLSH-së, dorëzuar në APP”.
Në vijim, APP deklaron se ka kryer verifikimet dhe konstaton se për këtë rast “ndodhemi në kushtet e nenit 78/1 të Ligjit për Prokurimet Publike”.
Ky nen thotë se: “1. Agjencia e Prokurimit Publik përjashton një operator ekonomik nga e drejta për të fituar kontrata publike për një periudhë nga 3 muaj deri në 3 vjet për:
- a) keqinformim dhe dorëzim të dokumenteve, që përmbajnë të dhëna të rreme për qëllime kualifikimi;….”.
Në përfundim të procedurës verifikuese, APP, me vendimin nr. 62, dt. 26.06.2024, ka vendosur: “Të përjashtojë operatorin ekonomik ‘Glori Projekt’ nga e drejta për të fituar kontrata publike për 18 muaj”.
Tenderi i dyshuar
Në 21 Korrik 2020, Ministria e Brendshme shpalli tenderin me objekt “Blerje mobilje për Byronë Kombëtare të Hetimit (BKH) dhe të Strukturës së Posaçme Antikorrupsion (SPAK)”.
Fondi limit për këtë procedurë ishte 61.440.198 lekë të reja. Afati i dorëzimit të ofertave u caktua data 14 Gusht 2020.
Por, për një arye që nuk kuptohet shumë qartë, titullari i procedurës në atë kohë, Plarent Ndreca, vendosi të modifikojë dokumentat e tenderit, duke shtuar disa kritere dhe afati i dorëzimit të ofertave u shty për në 19 gusht.
Ka pasur disa raportime mediatike të kohës se këto ndryshime u kryen për të “orientuar fituesin”. Megjithatë, këto pretendime mbetën në kuadrin e qëndrimeve deklarative.
Të dhënat zyrtare tregojnë se në tender kanë marrë pjesë 8 operatorë ekonomikë. Nga gara u skualifikuan 5 kompani, përfshirë edhe subjektin që kishte paraqitur ofertën më të ulët.
Në përfundim, fitues u shpall bashkimi i operatorëve “Glori Projekt” & “Dromeas”, të cilët paraqitën ofertën në vlerë 47.295.336 lekë të reja.