Një 22-vjeçar u gjet i plagosur dhe me fraktura ditën e sotme në rrethrrotullimin e Shëngjinit. Fillimisht, u dyshua se i riu ishte dhunuar dhe ishte lënë në mes të rrugës. Por, Policia e Shtetit doli me një njoftim zyrtar duke dhënë detaje lidhur me ngjarjen. Në sqarimin e Policisë bëhej me dije se 22-vjeçari Gentian Bajrami ka rënë aksidentalisht nga lartësia e një lokali në vendin ku u gjet i dëmtuar.
Bajrami është transportuar në Spitalin e Traumës dhe është në gjendje të rëndë shëndetësore. Kjo si pasojë e frakturave që ka marrë në kokë.
NJOFTIMI I POLICISË:
Lezhë/Informacion paraprak
Rreth orës 06:05, salla operative e Policisë së Lezhës është njoftuar nga spitali rajonal i Lezhës, se në afërsi të rrethrrotullimit të Shëngjinit, është marrë me autoambulancë, i dëmtuar në kokë, shtetasi G. B., 22 vjeç. Nga hetimet e deritanishme dyshohet se 22-vjeçari ka rënë aksidentalisht nga lartësia e një lokali në vendin ku është gjetur i dëmtuar. Ky shtetas është transportuar në Spitalin e Traumës dhe është në gjëndje të rëndë shëndetësore. Grupi hetimor po punon për të zbardhur dhe dokumentuar me prova ligjore rrethanat e kësaj ngjarjeje.