Identifikohet shqiptari, i cili u vra me thikë një natë më parë nga një Italian në Bibbiano, Reggio Emilia. Raportohet se 61-vjeçari, është Ilirjan Minaj. Ky i fundit u vra teksa po shkonte të takonte vajzën dhe mbesën, të cilat jetonin në një pallat me agresorin, i identifikuar si Riccardo Stefani. Viktima mori një plagë vdekjeprurëse me thikë në gjoks, e cila i shkaktoi dhe vdekjen e menjëhershme në vendin e ngjarjes.
Viktima kishte shkuar të takonte mbesën, por është përballur me autorin e krimit teksa po ngjiste shkallët e pallatit dhe një ngacmim nga ana e 41-vjeçarit ndaj tij ka çuar fillimisht në një debat mes tyre. Pas sherrit, 41-vjeçari është futur në banesën ku jetonte bashkë me të ëmën. Në këtë momet shqiptari e ka goditur derën fort. Pas kësaj italiani ka hapur derën duke e goditur menjëherë me një thikë kuzhine në kraharor.
Pas goditjes, Ilirjan Minaj është shembur në tokë pa jetë. Raportohet se me të mësuar ngjarjen, rreth 30 të afërm të Minajt kanë shkuar në vendngjarje dhe kanë tentuar ta marrin autorin me forcë nga duart e Policisë për të bërë vetëgjyqësi. Por karabinierët kanë arritur të menaxhojnë situatën duke shpëtuar italianin nga të afërmit e 61-vjeçarit. Në vendngjarje është kërkuar një automjet i blinduar, ndërsa për të ruajtur sigurinë u vendos një “kordon” me policie.
Të afërmit e viktimës kanë lëshuar thirrje kundër vrasësit dhe Policisë, e cila e kishte rrethuar për ta mbrojtur. Madje në një moment ata kanë goditur xhamat e makinës duke u përpjekur të ngjiteshin në kofano, por policia ka arritur që të largojë autorin nga vendngjarja.
Raportohet se viktima, Ilirjan Minaj, është nga Korça dhe prej disa vitesh ishte shpërngulur me gruan e tij Natasha në Bibbiano, ku tashmë jetonin disa të afërm të tyre, si edhe ishte rritur edhe vajza 19-vjeçare e çiftit, e cila kishte dhe një bazë. Hetimet për ngjarjen vijojnë.