Kryeministri Edi Rama i ka paraprirë investigimit të emisionit “Report” në Rai 3, që është parashikuar të transmetohet sot në mbrëmje, përmes një postimi në rrjetet sociale.
Teksa mediat në Itali dhe Shqipëri u mbushën mëngjesin e sotëm me detaje nga emisioni, ndër to edhe faktin që ka folur (dyshohet nën përgjim) ish-ministri në arrati Arben Ahmetaj, Rama thotë se është edhe ai pjesë e emisionit me intervistën që ka dhënë për gazetarët italianë.
Megjithatë, duket qartë shqetësimi i Ramës, se ajo çka ka thënë për të mbrojtur veten dhe qeverinë e tij nga akuzat, mund të pritet, shtrembërohet dhe të mos transmetohet e plotë në emisionin e sotëm.
Për këtë arsye, teksa ka postuar një foto me gazetarin italian të emisionit, Rama duket se ka kërkuar që intervista e tij për të, të transmetohet e plotë dhe më vete.
Rama thotë në fund, se shënjestër e gazetarëve italianë në fakt është…Giorgia Meloni, kryeministrja italiane.
Ja çfarë shkruan Rama në rrjetet sociale:
“VOGLIO BENE A GIORGIO MA VOGLIO DI PIU A LA VERITA”*
(E dua shumë Giorgio-n po më shumë dua të vërtetën)
SONTE 20:00
“RAI3 Report” bëri para disa javësh një reportazh ku përzieu në të njëjtin kazan prodhimet e sherrit politike italian mbi marrëveshjen Itali-Shqipëri për qendrën e pritjes së tremijë migrantëve në Shëngjin, me llumin e eksportuar nga kanalet e ujërave të zeza politike e mediatike të Tiranës, duke cënuar imazhin e Shqipërisë dhe dinjitetin e shqiptarëve. Dihet “lufta” që pasoi e që u bë temë e mediave italiane pas kundërvënies sime ndaj asaj llumnaje.
Drejtori i programit “Report” iu përgjigj pozitivisht ftesës sime publike drejtuar atij personalisht, për të ballafaquar faktet në sytë e audiencës së RAI3. Ramë dakord, që përveç copave të intervistës së bërë në zyrën time, të cilat ata do t’i marrin e do t’i presin dhe qepin sipas skenarit të tyre (me qëllimin lehtësisht të lexueshëm të vazhdimit të përzierjes në të njëjtin kazan të sherrnajës politike italiane me llumin e eksportuar nga Tirana) intervista e pacensuruar do të publikohet e plotë njëkohësisht në rrjetet sociale të Report, si edhe këtu në këtë faqe.
Sonte në mbrëmje shikoni, dëgjoni e gjykoni vetë, unë s’po bëj asnjë koment. Nesër flasim, këtu jemi prapë
*Kujdes e kam fjalën për Giorgio-n, gazetarin në foto, jo për Giorgia-n, shënjestrën kryesore të “RAI3 Report”