Kryeministri Edi Rama është ballafaquar sot në një intervistë me gazetarin italian Giorgio Mottola të emisionit “Report” të RAI 3, i cili kreu një investigim për marrëveshjen Shqipëri-Itali për emigrantët.
Rama është pyetur ndër të tjera edhe për biznesmenin italian Francesco Becchetti, të cilin e ka quajtur një “kriminel të dënuar me 17 vite burg në Shqipëri”.
“Ke një debulesë për Becchetti-n. Zotëria është një kriminel i dënuar me 17 vjet burg në Shqipëri për pastrim parash e të tjera. Historia nuk është mbyllur, nuk dua të komentoj por për momentin jemi në një betejë ligjore me zotërinë që për ne është një kriminel”, u shpreh Rama.
Teksa gazetari e etiketoi Shqipërinë si “narko-shtet”, Rama tha se kjo është një e pavërtetë pasi vendi ynë ka hapur negociata për anëtarësim në BE. Ai mohoi shifrat se krimi i organizuar është rritur gjatë qeverisjes së tij.
“Si mund të quash narkoshtet një vend që hapi negociatat me BE-në. Dhe të hapësh negociatat me BE-në nuk është si të bësh një emision, por të bësh detyrat e shpisë ndërkohë që je i monitoruar”, u shpreh Rama.