Një tjetër dosje do të shkojë në SPAK…bëhet fjalë për institucionin Ujësjellës Kanalizime në Vlorë (UKV). Lajmin e ka dhënë zëvendësministrja Belinda Balluku, e cila u shpreh se ky institucion po abuzon në kurriz të qytetarëve. Kështu që personalisht është kujdesur për të “kopsitur” dosjen me shkeljet e gjetura në këtë ndërmarrje, e do ta dorëzojë po vetë në Strukturën e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar.
“Sot kemi një përmirësim nivelesh të të ardhurave, kemi përmirësimin e humbjeve të ujit të pijshëm në rrjet. E vetmja ndërmarrje që ka një problem është ajo e Vlorës, por që të abuzohet në kurriz të qytetarëve të Vlorë, kjo është diçka që ju duhet ta dini zyrtarisht, kjo nuk është një çështjet që do lihet në sirtarë, por do ndiqet ligjërisht për të gjithë të përfshirët. Kjo është detyra ime personale dhe stafit të Ministrisë dhe do t’i shkohet deri në fund. Do çoj dosjen në SPAK. Kemi dy muaj që i kemi shkuar deri në rrënjët e fundit, deri aty ku është ngjizur kjo skemë. Dosjet janë gati,”- tha Balluku.
Por, po ashtu i dha edhe një mesazh publik punonjësve dhe zyrtarëve të këtij institucioni, duke i cilësuar “grup të strukturuar kriminal”. Në fjalën e saj, Balluku shtoi se do të ketë zero tolerancë për të gjithë ata që abuzojnë me detyrën.
“I keni hyrë detit në këmbë. I ka rënë në qafë popullit të Vlorës, bizneseve, pensionistëve të Vlorës dhe të gjithë Shqipërisë dhe për këtë do përgjigjeni të gjithë. Ky është grup i strukturuar, i cili ka vepruar në bashkërendim të plotë në kurriz shqiptar dhe në kurriz të popullit të Vlorës. Sot UKV është në risk për të mos ofruar dot shërbime në kulm të sezonit,”- tha ajo.
PJESË NGA FJALA E PLOTË:
Nuk kam dëshirë që të vij në Vlorë për të tërhequr vëmendjen apo për të zbuluar skema korruptive që shkojnë në kurriz të qytetarëve të Vlorës. Jeni në dijeni që nga qershori i 2021, qeveria duke vlerësuar performancën e dobët të UK, ndërmori një reformë të thellë të këtij sektori. ky është viti i parë që kemi rezultate të mirëfillta. Kemi tjetër nivel për mbledhjen e të ardhurave, kemi përmirësuar uljen e humbjes në rrjet, etj. E vetmja ndërmarrje që ka problem të jashtëzakonshëm financiar, është ndërmarrja e UK Vlorë. Do ta kuptoja paaftësinë e drejtuesëve, por që të abuzohet në kurriz të qytetarëve të Vlorës, të jemi në rrisk që të mos ofrohet shërbimi sepse një grup njerëzish ka vendosur që të marrë paratë e kompanisë dhe ti keqpërdorë për qëllimet e veta, kjo është diçka që nuk do të ngelet nëpër dollapët e ministrisë por do të ndiqet penalisht. Për të gjithë aktorët, pa përjashtuar askënd. Që nga dizenjuesi i kësaj skeme deri tek drejtuesit lart. Do i shkojmë deri në fund. Mendova se do të ishte më mirë t’ua thoja vetë që mos ta kishit suprizë kur të më shikonit që do të shkoja të çoja dosjen në SPAK, sepse është mirë të përgatiteni, merrni masat, gjeni avokatët për t’ju mbrojtur tek skema korruptive. Kemi 2 muaj që i kemi shkuar deri në rrënjën e fundit. Kemi 2 muaj që punojmë për secilin prej dosjeve.
Po iu informoj që dosjet janë gati, avokatët që keni përdorur për të marrë lekët popullit të Vlorës, përdorini tani për t’ju mbrojtur ju dhe veten e tyre. Që këtu juristët që përveç faktit që nuk kanë mbrojtur çështjen, e kanë çuar kompaninë në gjyq, njëri prej tyre madje edhe e ka mbyllur çështjen dhe ka marrë paratë sepse është futur përmbaruesi që në shkallë të parë. Vetë juristët, ata që duhet të mbronin shtetin nga ky ekspozim, ata që shkonin në gjyq për të mbrojtur UKV, e kishin hedhur vetë në gjyq madje kanë marrë edhe paratë. Nuk e di në cilin cep të botës ndodh edhe kjo histori. Nuk e di kush e ka pasur këtë siguri që shteti do të flinte gjumë dhe ju do të vazhdonit këtë rrugë dhe do iu çonte mjeshtri i madh që bëri zbulimin tek i njëjti grup. Keni dëgjuar ndonjëherë që të kërkosh vjetërsinë në punë dhe të kërkosh fitimin e munduar, e perceptoni juridikisht si parim. Ti çon shtetin në gjyq sepse pretendon se nuk të është paguar vjetërsia në punë, por nuk mjaftohesh sepse të kanë mësuar se është biznes.
Pra vjetërsia në punë që në të gjitha rastet e përllogaritura që shkojnë në 1-2 mln lekë të vjetra, me shtesat kanë arritur deri në 100 mln lekë të vjetra. Në Gjykatë i është marrë kësaj SHA-je, 100 milionë për një punonjës. është marrë sepse ka detyrim i padituri të paguajë shtesën në punë, kontributin shoqëror për këtë shtesë, fitimin e munguar dhe kamatë vonesat. Detyrimin që të paguhet shtesa nga paga e grupit të diplomës. SHA-të nuk përfshihen sepse definohet qartë që është për ata të administratës, ata që janë me DAP. Kjo nuk është vënë re fare, se është parashkuar, pasi me Kod Pune e kanë çështjen e parashkruar pasi kanë dalje në pension me vite. I keni hyrë detit në këmbë. I ka rënë në qafë popullit të Vlorës, bizneseve, pensionistëve dhe do të përgjigjeni një për një. Do bëhet shembull Vlora. Do ktheheni në shembull se çfarë ndodh kur ka grup të strukturuar. Ka vepruar në bashkërendim të plotë në kurriz të shtetit, taksapaguesëve dhe popullit të Vlorës. Sot UKV është në risk që të mos paguajë shërbime në kulm të sezonit sepse ca patën qejf që të bënin ca para dhe menduan se zbuluan skemën e shekullit. Unë punët i nis dhe i bitis, nuk jam ata që kur iki i harroj. As ka ardhur njëri që t’ju kërcënojë do të keni kohë që të merreni me drejtësinë apo dhe me gjëra të tjera. Pensionistët e UKV që ikin dhe menduan të vidhnin edhe ca lekë. I keni bërë llogaritë gabim sepse qeveria nuk fle.
Kjo do të jetë dosja e parë që dorëzohet në SPAK nga maxhoranca për një institucion, e vjen vetëm disa javë pasi kreu i SPAK, Altin Dumani tha se në vitin 2023 kishte pasur ulje të denoncimeve të bëra nga vetë institucionet që gjejnë shkelje në mesin e tyre.