Pas Genc Tafilit, Struktura e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka marrë në pyetje edhe Admir Tafilaj, i dënuari tre herë me burgim të përjetshëm. Ai ka dëshmuar me atë që dinte lidhur me konfliktin që ka pasur i vëllai me “të fortin” e Shkodrës, Behar Bajrin. Marrja në pyetje është bërë në ambientet e burgut më datë 11 prill. Sipas gazetarit Elton Qyno, i cili shkruan për “OraNeës”, Tafilaj, ka konfirmuar dëshminë e Gencit duke treguar se shkak i konfliktit me Behar Bajrin është bërë një borxh prej 20 mijë euro, që njerëzit e Beharit në Shkodër kishin mbetur borxh në një nga pikat e basteve të drejtuar nga Dorian Duli. Kaq ka mjaftuar dhe me palëve ka nisur përplasja.
Në dosjen “Metamorfoza” zbulohet se për të shuar konfliktin, edhe pse në burg, ka ndërhyrë edhe Admir Tafili, i cili ka negociuar dhe me vëllain e madh të Beharit, Enver Bajri. Por negociatat nuk kanë zgjidhur asgjë. E gjithë kjo situatë ka çuar palët që edhe kur kanë dalë nga burgu, si Behar Bajri dhe Genc Tafilaj, të mbajnë pozicione të ftohta dhe ti ruhen njëri-tjetrit.
“…dua të them se unë këtë person (Behar Brajoviq) e kam njohur që në vitin 1996. Kemi qenë të afërm me njëri-tjetrin kemi shkuar e qëndruar me netë të tëra në shtëpitë e njëri-tjetrit, këto marrëdhënie kanë qenë të afërta deri në vitin 2010 mesa më kujtohet, kohë në të cilën kemi qenë në të njëjtin sektor në burgun e Lezhës. Më pas me këtë shtetas kam bërë debat, për shkak të një borxhi që ky pra, Behari, nuk i njohu shokut tim Dorian Duli. Vëllai im Genc Tafilaj ka takuar nga afër shtetasin Enver Bajri të vëllain e Beharit, ku i ka kërkuar shumën e borxhit të lënë në pikat e basteve që administroheshin nga shoku ynë Dorian Duli, me sa më kujtohet shumë mund të ketë qenë 20-25 000 dollarë apo euro, nuk jam i qartë. Nisur nga këto biseda të mësuara si nga vëllai im Genci ashtu edhe nga vetë Dorian Duli, se njerëzit e Behar Brahoviç (Bajri) ranë dakord të shlyenin me këste këto borxhe, që kujtoj se mund të jenë dhënë vetëm njëherë rreth 1000 dollarë amerikanë. Më vonë kam mësuar se Dorin Duli, ka shkuar edhe ja ka kërkuar edhe Sokol Dulit, i cili ishte menaxher i basteve të Dorit, ky i fundit nuk e mori përsipër kthimin e kësaj shume. Debatet për kthimin e kësaj shume i kam bërë në burgun e Lezhës edhe ku jam prishur përfundimisht me atë pra, Behar Bajrin. Për shkak të afrimitetit që kishte me Dorian Dulin me Gencin, nga ky i fundit kam mësuar edhe për faktin që Behari kërkonte të më dëmtonte edhe Dorian Dulin, vetëm sepse ishte lidhje e jona. Genci, që në këtë moment më ka mbajtur mëri edhe mua për shkak të Beharit, dhe kujtoj që këtu unë kam kontaktuar edhe me Enver Bajrin, ku i kam kërkuar që të kthejë borxhet e lëna nga njerëzit e tyre në pikat e basteve të Dorit, sepse po më vendosnin në debate edhe me vëllain tim. Dua të shtoj se Genci më ka thënë disa herë se Behari është shpreh në burg apo edhe jashtë se Behari do që të më dëmtojë apo godas mua. Genci edhe pasi është liruar në vitin 2017 më ka thënë që ruhet nga Behari e njerëzit e tij se duan të më bëjnë dëm. Po ashtu edhe Dori me telefonata apo edhe në takime që kam pasur me të si në burgun e Lezhës ashtu edhe të Elbasanit në takimet që kam pasur me të, të cilat mund të verifikohen në regjistra…,”-tregoi ai.
Kjo përplasje brenda burgut nuk u harrua me aq. Por në vitin 2021, Bajri u vendos që ta ekzekutonte duke e ndjekur ditën që kishin shkuar në varrimin e Indrit Rrajës. Megjithatë atë ditë atentati nuk u krye, edhe pse në shënjestër ishte edhe Ibrahim Lici, një tjetër armik i përbetuar i fisit Bajri.