Gjendet Leo Roçi, i riu nga Dibra, i cili u shpall i zhdukur nga familjarët e tij 10 ditë më parë. Roçi i humbi kontaktet me familjen në kufirin serbo-kroat, e që në atë moment nuk kishin më asnjë kontakt me të. Raportohet se familjarët e tij kanë telefonuar zyrën e ministrit të Brendshëm, Taulant Balla dhe kanë bërë me dije se ai i ka telefonuar nga Italia. Daja i 34-vjeçarit, ka qenë ai që ka bërë denoncimin për zhdukjen, pasi ka qenë dhe personi i fundit që ka folur me të. Pas zhdukjes së tij, familjarët kërkuan ndihmën e autoriteteve ndërsa dyshonin se ai mund të jetë vrarë.
Leo Roçi humbi kontaktet me familjen më 21 maj, në kufirin serbo-kroat. Ai ishte nisur me datë 19 maj me autobusin e linjës Durrës-Prishtinë. Pasi ka arritur në Prishtinë nuk ka patur biletë për më tej dhe ka fjetur në një hotel në kryeqytetin e Kosovës. Të nesërmen më 20 maj është nisur me një taxi për në Serbi nga dogana Merdare. Pasi ka kaluar doganën me taxi, taxia e ka çuar në autobusin që nisej për në Beograd. Prej andej me një taxi tjetër ka shkuar në piken kufitare Serbi-Kroaci, ku ka kontaktuar për herë të fundit me familjarët. Fatmirësisht ai ndodhet në gjendje të mirë shëndetësore. Ende nuk dihen arsyet se përse i riu nuk ka kontaktuar më herët me familjen.