Në aktakuzën e SPAK për ish zv.kryeministrin Arben Ahmetaj në arrati prej muajsh, është përshkruar një episod që dëshmon se si zyrtarët e lartë në vendin tonë, abuzojnë me fondet publike, por flet shumë edhe për lidhjet e tyre me njerëz të biznesit, të cilët me pushtetin që kanë i favorizojnë më pas në bizneset e tyre milionëshe.
Nga hetimet e SPAK, rezulton se vetëm për një natë të vetme në një casino në Maltë, në vitin 2018, Arben Ahmetaj në shoqërinë e biznesmenit Mirel Mërtiri, bosit de facto të inceneratorit të Tiranës, po ashtu në kërkim ndërkombëtar ka shpenzuar 90 mijë e 500 euro. Gazeta mësuar se të dhënat janë konfirmuar përmes përgjigjes që autoritetet në Maltë i kthyen Prokurorisë së Posacme në kuadër të hetimit që po kryhej ndaj Ahmetaj. Referuar dokumentit të prokurorisë së posaçme rezulton se Ahmetaj dhe Mërtiri kanë paguar cash paratë për blerjen e fishave. Autoritetet malteze janë të bindur që lojtarët janë Ahmetaj, deputet në Kuvendin e Shqipërisë dhe Mërtiri biznesmen, pasi të dy kanë lënë në casino fotokopjet e pasaportave.
Arben Ahmetaj është zyrtarisht i pandehur për korrupsion, pastrim parash e fshehje pasurie. Në nakuzë janë vënë ish-gruaja e tij dhe partnerja aktuale. Po ashtu të pandehur janë edhe Mirel Mërtiri e Klodian Zoto.
Lidhjet mes Mërtirit dhe Arben Ahmetaj janë të hershme, madje disa kohë më parë ata të dy udhëtonin në të njëjtin automjet kur u aksidentuan në Maqedoninë e Veriut.
Dy vitet e fundit ata u përplasën ashpër, për arsye që mbeten të paqarta. Inceneratorët konsiderohen si afera më e madhe korruptive në të paktën 2 dekadat e fundit, që deri më tani ka çuar prapa hekurave ish-ministrin e Mjedisit Lefter Koka, ish deputetin socialist Alqi Bllako dhe zyrtarë të tjerë, ndërsa ish-numri dy i qeverisë, një prej njerëzve të besuar të Edi Ramës është në kërkim ndërkombëtar.
Ahmetaj ndodhet në Zvicër ku ka kërkuar dhe statusin e azilantit politik. Krahas tij, nën akuzë janë vënë edhe ish gruaja e z.Ahmetaj, Albina Mançka dhe partnerja e tij aktualisht, Erjola Hoxha.