Fati i kredimarrësve të institucioneve “MicroCreditAlbania” dhe “Final” është ende i paqartë, por jo për të gjithë. Për një pjesë prej tyre ka një zgjidhje…rikthimin tek bankat e nivelit të dytë. Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko tha sot në raportimin që bëri në Komisionin e Ligjeve se qytetarët, të cilët kanë kredi tek MCA dhe Final tashmë do t’i paguajnë këstet e tyre pranë bankave të nivelit të dytë, aty ku edhe kanë marrë fillimisht paratë. Të paktën kjo është skema që do të ndiqet për kreditë jo-performuese, që sipas Sejkos nuk është ekzaktësisht e planifikuar, por ka shumë gjasa të ndodhë kështu.
Por cilat janë këto banka, që do të marrin sërish mbrapsht portofolet e shitura të kredive të këqija?
Sipas të dhënave, rezulton se në vendin e parë renditet banka Procredit. Kjo bankë, të paktën deri në vitin 2020, rezulton se i ka shitur plot 22 milionë euro kredi të këqija subjektit MCA. Pas Procredit vjen ish-Societe Generale. Kjo bankë, që aktualisht është blerë nga OTP, rezulton se ka shitur mbi 18 milionë euro kredi të këqija tek MCA. Raiffeisen dhe Tirana Bank po ashtu rezulton të kenë shitur portofole më vlerë më të madhe se 10 milionë euro, ndërkohë që në listën e shitësve figurojnë dhe NOA dhe FED Invest.
Por kjo shifër bëhet fjalë për periudhën 2015-2019, ndaj pritet që të ketë edhe më shumë kredi të tilla. Ndërkohë që e paqartë mbetet mënyra sesi do të veprohet me kreditë që janë marrë direkt në këto institucione apo me kreditë që nuk janë marrë kurrë, por sërish qytetarët kanë shpallur debitorë dhe u janë sekuestruar edhe pronat nga ana e përmbaruesëve. Në njoftimin e parë për heqjen e licencës për këto dy kompani, Banka e Shqipërisë njoftoi se shpejt do të dilte me një njoftim të dytë, por Sejko sot tha se ky vendim do të marrë shumë kohë deri në daljen e një përfundimi.
Skandali me mikrokreditë:
Prej 6 muajsh, Korrieri denoncon dhe grumbullon dëshmi të viktimave që ranë pre e njoftimeve grackë për të marrë kredi në zyra mikrokredie. Këto zyra përmes njoftimeve online dhe në televizione, krijuan një perceptim të gabuar te qytetarët se ishin njësoj si bankat e tjera. Në fakt, në realitet këto zyra japin kredi shpejt dhe me norma përtej normales. Pa asnjë filtër, këto institucione iu japin qytetarëve mikrokredi në situata që ata nuk munden dot kurrsesi ti paguajnë. Këtu nisi dhe kalvari i abuzimeve. Kreditë e këqija të mikrokredive përfshirë dhe ato të bankave iu shitën MCA. Tashmë çështja është në duart e SPAK dhe kutia e “Pandorës” pritet të hapet. Kush i lejoi, për kë punuan këta agjentë mikrokredie dhe ku abuzuan ata, këto janë disa nga pyetjet që shtrohen sot? SPAK duhet t’i japë një përgjigje!