Arlinda Muja nuk tha të vërtetën, Kredo dhe IUTE pjesë e skemës së zhvatjes së shqiptarëve nga MCA , kërkohet zgjerim i hetimeve
Një ditë pasi Prokuroria e Tiranës vendosi nën akuzë shoqërinë Micro Credit Albania dhe lëshoi 9 urdhër arreste për mashtrimin me mikrokreditë, reagoi edhe Shoqata Mikrofinanca Shqiptare.
Përmes një deklaratë të shpërndarë për mediat, Shoqata Mikrofinanca Shqiptare u shpreh se Anëtarët e saj distancohen me forcë nga Shoqëritë e Mbledhjes së Kredive, të cilat operojnë nëpërmjet praktikave jo-ligjore, jo-etike, korruptive.
Megjithatë ky duket të jetë një e pavërtetë pasi dokumentet autentikë faktojnë se disa prej anëtarëve të kësaj shoqate, të cilët tani distancohen me forcë nga MCA, janë furnitorët e kasaphanës së mashtrimit me kreditë e këqija.
Njëra prej këtyre kompanive është pikërisht IUTE Credit, për të cilën Arlinda Muja e Kredo Financë, që tani drejton edhe Shoqatën e Mikrofinancës Shqiptare, doli garant se nuk kishin lidhje me kasaphanën që po u bëhej shqiptarëve.
Siç raporton Kapitali, në datën 14 maj 2021, Iute Credit Albania, një nga anëtarët kryesore të shoqatës Mikrofinanca Shqiptare e drejtuar pikërisht nga zonja Muja, nënshkroi një marrëveshje kuadër me kompaninë Micro Credit Albania.
Përmes kësaj marrëveshje Iute i shiti MCA-së 56.2 milionë lekë kredi të këqija me një çmim total prej 7.2 milionë lekë ose sa 12.8 për qind e vlerës së kredisë. Pjesë e marrëveshjes është edhe lista me 396 qytetarët, kreditë e këqija të të cilëve u kaluan nga Iute tek MCA.
Dyshimet janë se Iute dhe Kredi kanë shitur shumë më tepër kredi të këqija tek MCA dhe Final, të cilat më pas përfundonin në vorbullën e mashtrimit, shantazhit dhe sekuestrimit të pronave.
Por Kapitali nuk mund të vërtetojë me siguri maksimale se sa është shuma totale e shitur. Megjithatë dokumentat dëshmojnë një gjë qartësisht. Disa nga të indinjuarit e shoqatës Mikrofinanca për praktikat e paligjshme të MCA dhe Final, kanë qenë praktikisht furnitorët e tyre.
Ndoshta në atë kohë Iute , Kredi Finance dhe të ngjashmit e saj nuk ishin indinjuar ende. Por kjo pak rëndësi ka. Më shumë rëndësi ka një tjetër çështje.
MCA dhe kompanitë e tjera të mbledhjes së borxheve u krijuan me justifikimin për të zbrazur bankat nga kreditë e këqija, të cilat po kërcënonin sistemin financiar të vendit.
Rrugës nisën të zbraznin edhe portofolet e këqija të institucioneve të tjera të mikrokredive. Veçanërisht atyre që operojnë me një model biznesi, i cili ngarkon interesa të rënda dhe prodhon pafundësisht kredi të këqija.
Zbulimi i këtij dokumenti kërkon edhe zgjerimin e hetimeve për kasaphanën e pronave të shqiptarëve duke skanuar edhe Shoqatën e Mikrofinancës Shqiptare, e cila gjen guximin të mashtojë publikisht për të mbuluar një skandal, i cili duket se do të përfundojë me shumë të arrestuar. /Korrieri