‘Dumanin e kemi armikun më të egër, le ta lavdërojë kush të dojë’, u thoshte qytetarëve nga dritarja e shtëpisë së tij, disa ditë më parë, kreu i Rithemelimit Sali Berisha.
Por nuk ka qenë gjithmonë kështu.
Disa vite më parë, Berisha e cilësonte Dumanin si prokurorin që luftonte korrupsionin.
“Kush e hoqi prokurorin që po luftonte korrupsionin? Me të cilin Shqipëria, për atë luftë që i bëri korrupsionit, Shqipëria u bë shembull botëror dhe janë dokumentet për kapitullin që shënoi. I bëri presion të jashtëzakonshëm, Edi Rama dhe kundërshtarët e Sali Berishës. Ai nuk rezistoi dot dhe tha, “unë largohem”. E kam fjalën për ish-kryeprokurorin e taskë- forcës, Dumanin”, shprehej Sali Berisha në vitin 2017 në studion e gazetarit Artur Zheji.
Nga “hero”, sot sipas Berishës, Dumani është njeriu që ka shndërruar SPAK-un në një organizatë kriminale dhe është simbol i shëmtuar i korrupsionit, e i gjobave.
Në çdo dalje të tijën, më parë në shesh e sot nga dritarja, Berisha nuk kursen sharjet ndaj njeriut që dikur, sipas tij, ishte “shembull botëror”.