Prokuroria e Posaçme lëshoi ditën e djeshme rreth 50 urdhër arreste për kapjen e disa personave të botës së krimit pas zbërthimit të bisedave në aplikacionin “Sky ECC”.
Me urdhër të SPAK, forcat RENEA dhe FNSHzhvilluan një nga aksionet më të mëdha në disa qytete dhe zonat e tyre përreth. Kontrollet u shtrinë në disa qytete dhe zona si, Tiranë, Vlorë, Lezhë, Fushë-Krujë, Nikël, Kurbin etj. Urdhër arreste u lëshuan edhe për vëllezërit, Astrit dhe Altin Avdylaj dhe Durim e Valter Bami.
Dy të fundit dyshohet se ndodhen në Dubai, ndërsa janë ushtruar kontrolle në banesat e tyre në Nikël.
Kontrollet janë shtrirë edhe në zonën e Freskut në Tiranë, konkretisht në banesat e vëllezërve Duka, Erlis dhe Leonard Duka, të njohur si armiqtë e Ervis Martinaj, ish-bosi i lojërave të fatit i cili konsiderohet i zhdukur që nga data 8 gusht e vitit 2022.
Mes listës së urdhër arresteve është edhe ish-deputeti i PS, Arben Ndoka, i cili është shpallur në kërkim.
Po ashtu Prokuroria e Posaçme ka lëshuar dje urdhër arreste për 3 efektivët e Policisë së Shtetit në kuadër të operacionit të sotëm.
Bashkë me Erigert Mitrin, i cili më herët ka mbajtur pozicionin si drejtues i Policisë Lezhë dhe Klodian Jasharin, është edhe emri i Altin Morinës, ish-efektiv i RENEA-s.
SPAK mësohet se ka lëshuar urdhër arrest edhe për Lulzim Berishën, i njohur ndryshe edhe si Lul Berisha.
Nga emrat e cilësuar si kokat e krimit deri më tani askush nuk është arrestuar pasi ndodhen jashtë. Duket se këtë aksion të policisë po e shohin nga hotelet ku ndodhen.
Masa sigurie janë lëshuar për:
1-Leonard Duka arrestuar në Belgjikë pret ekstradimin për vrasjen e Santiago Malkos
2-Erlis Duka në kërkim ende për vrasjen e Santiago Malkos
3-Fatmir Hyseni alias Doçja në kërkim për vrasjen e Santiago Malkos dhe atentatin ndaj Inez Hajrullës
4-Arben Ndoka në kërkim ish-deputet ndodhet në Dubai prej më shumë se një viti më parë, i përmendur në dosjen “Metamorfoza”
5-Xhevi Ndoka vëllai i Arben Ndokës arrestuar më herët për pronat komunikuar masa në burg
6- Samuel Ndoka, nipi i Arben Ndokës
7- Armando Ndreca, vëllai i deputetit Eduard Ndreca i arrestuar para disa javësh për kultivim droge në një stan në Lezhë, por brenda dy ditëve u la i lirë nga Gjykata.
8-Elvis Ndreca, djali xhaxhait të deputetit Eduard Ndreca
9- Astrit Avdylaj në kërkim, për sigurim kushtesh për të kryer vrasje. (I njohur në Dosjen 339. Ai u arrestua në vitin 2018, si pjesë e dosjes “339”, gjatë operacionit “Volvo 4” për laboratorin e kokainës që u gjet në Has. Është liruar nga qelia e paraburgimit. Vendimi që u mor të hënën lidhet me tejkalim të afateve procedurale hetimore). (Me pikëpyetje emri i Altin Avdylajt nëse ka masë sigurie)
10-Aldo Avdylaj nipi i Astritit, sigurim kushtesh për të kryer vrasje
11-Albert Zaja arrestuar në 2021 për vrasjen e Shkëlzen Kastratit, komunikuar masa në burg
12- Durim Bami në kërkim i strehuar në Dubai, sigurim kushtesh për të vrarë Marklen Hakën. Nga atentati që iu bë këtij të fundit më 21 shtator 2019 mbeti e vdekur halla e tij. (Me pikëpyetje emri i Valter Bamit nëse ka masë sigurie)
13- Naim Stafuka, vëllai i Enverit të zhdukur prej kohësh pa gjurmë. Burimet thonë se Durim Bami siguroi kushte për të vrarë Marklen Hakën dhe në këtë ngjarje u përfshi edhe Stafuka.
14- Marklen Haka personazh i njohur, disa herë i lakuar si i përfshirë në ngjarje kriminale, rezultonte i lirë por ruhej nga kundërshtarët disa prej të cilëve më herët i kishte miq e bashkëpunëtorë
15- Santilo Basho i skeduar më herët, vëllai i Tesi Bashos i skeduar gjithashtu dhe i arratisur nga burgu, masa i është komunikuar në burg
16- Plaurent Dervishaj, kunati i Lul Berishës, në kërkim si pjesë e bandës së Durrësit. Gjykohet për vrasjet e 2005 ndaj Vajdin Lames e Klodian Saliut.
17- Lulzim Berisha, i arrestuar në Spanjë pjesë e grupit të Durrësit, akuzuar për vrasjet e 2005 Vajdin Lames e Klodian Saliut, gjykohet në mungesë
18- Viktor Imeri, në burg për vrasjen e Klodian Saliut e Vajdin Lames, iu komunikua masa në burg
19- Endrit Dokle, ish-anëtar i bandës së Durrësit, doli nga burgu më 14 janar 2020, ku në fakt duhet të qëndronte përjetë me vendim të gjyqtares së Krujës Enkeleda Hoxha.
Pse kriminelët shqiptarë gjejnë strehë të sigurt në Emiratet e Bashkuara Arabe!
Një numër gjithnjë e në rritje figurash të krimit shqiptarë po gjejnë strehim dhe po pastrojnë para në Emiratet e Bashkuara Arabe, duke e ditur se autoritetet në Shqipëri dhe gjetkë në Evropë do të hasin vështirësi për të siguruar ekstradimin e tyre.
Në dhjetor 2020, Prokuroria Speciale kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, e sapokrijuar e Shqipërisë, SPAK, bëri lëvizjen e saj kundër të ashtuquajturës “banda e Durrësit”, një klan i fuqishëm kriminal me qendër në qytetin bregdetar shqiptar të Durrësit.
SPAK akuzoi anëtarët kryesorë të bandës për përfshirje në tre vrasje në 2005 dhe lëshoi ??urdhër arresti ndërkombëtar për disa prej tyre, duke përfshirë një rezident në Dubai të quajtur Plaurent Dervishaj.
Policia në Emiratet e Bashkuara Arabe kapi atë dhe autoritetet në Tiranë nisën procesin për ekstradimin e tij. Dervishaj, megjithatë, ende nuk është dorëzuar dhe që atëherë është liruar nga paraburgimi.
“Ne bëmë çdo përpjekje, por u përballëm me burokraci dhe vonesa nga autoritetet e Emirateve”, tha një zyrtar shqiptar me njohuri për procesin dhe që foli në kushte anonimiteti.
“Në një moment, i plotësuam të gjitha kërkesat e tyre, por thjesht nuk morëm më lajme prej tyre.” Por nuk është vetëm Dervishaj.
Në fakt, vështirësitë me të cilat përballen autoritetet shqiptare në sigurimin e ekstradimit të shqiptarëve të kërkuar nga Emiratet e Bashkuara Arabe duket se kanë shtyrë një numër në rritje figurash të krimit shqiptarë të kërkojnë strehim atje.
“Teknikisht, ata nuk refuzojnë ekstradimet. Kryejnë arrestime, por e zvarritin deri në atë pikë sa mbaron afati i paraburgimit dhe ata lirohen”, tha zyrtari.
Shfrytëzohen mënyra të ndryshme
Pengesa më e madhe përsa i përket ekstradimit është mungesa e një traktati dypalësh ekstradimi mes Shqipërisë dhe Emirateve të Bashkuara Arabe.
“Me vende si Shqipëria, procesi i ekstradimit bëhet më i ndërlikuar, edhe sepse në Emiratet e Bashkuara Arabe ka disa institucione të përfshira në proces.”
Bëhet edhe më e ndërlikuar nëse personi kërkuar ka vendbanim të përhershëm në Emiratet e Bashkuara Arabe.
Në prill, ministrat e brendshëm të Shqipërisë dhe Emirateve të Bashkuara Arabe nënshkruan një marrëveshje sigurie që lehtëson shkëmbimin e informacionit dhe trajnimin mes forcave policore të dy vendeve, por çështja e ekstradimit nuk u përmend.
Emiratet e Bashkuara Arabe ishin bërë një strehë e sigurt, një vend ku figurat e krimit mund t’i shpëtojnë drejtësisë me familjet e tyre dhe ku mund t’i vizitojnë bashkëpunëtorët e tyre.
Gjatë pesë viteve të fundit, tha ajo, “numri i atyre që migrojnë në Emiratet e Bashkuara Arabe është rritur ndjeshëm”. Një prej tyre ishte Florenc Çapja, një nga drejtuesit e një bande famëkeqe kriminale në qytetin e Elbasanit. Në maj të vitit të kaluar, Shqipëria kërkoi pa sukses ekstradimin e tij nën akuzat për dy vrasje në vitin 2012.
Pastrim parash
Problemi nuk është vetëm shqiptar. Edhe Italia ka luftuar për të siguruar ekstradimin e Eldi Dizdarit nga Emiratet e Bashkuara Arabe, pavarësisht faktit se prokurorët italianë e akuzojnë atë për drejtimin e një rrjeti të madh trafiku kokaine të njohur si “Compania Bello”.
Si shumë shqqiptarë të tjerë që jetojnë në vendin e Gjirit, ai nuk i ka ndalur aktivitetet e tij të paligjshme, thonë prokurorët.
Në prill, autoritetet në Belgjikë, Gjermani dhe Holandë arrestuan 19 persona pas një hetimi ndërkombëtar për një rrjet trafiku kokaine.
Sipas një raporti të Associated Press, autoritetet zbuluan se “qendra e kontrollit të trafikantëve ishte me bazë në Dubai, ku grupi organizonte furnizimin e tij me kokainë nga Bolivia”.
Emiratet e Bashkuara Arabe janë gjithashtu një destinacion tërheqës për të investuar të ardhurat nga aktivitete të tilla.
Në mars, Financial Action Task Force, një organizatë mbikëqyrëse globale e krimit financiar, i vendosi Emiratet e Bashkuara Arabe në të ashtuquajturën “lista gri” e juridiksioneve që i nënshtrohen monitorimit të shtuar, duke përmendur “mangësitë strategjike” në luftën kundër pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit.
Udhëtim dhe investim
Emiratet e Bashkuara Arabe nuk janë më një destinacion i largët për shqiptarët. Sot ka fluturime direkte drejt Emirateve nga kryeqyteti shqiptar, Tirana, opsione me kosto të ulët dhe më të shtrenjta.
Qytetarët shqiptarë mund të aplikojnë online për viza afatshkurtër, ndërsa qytetarët e Emirateve të Bashkuara Arabe mund të hyjnë në Shqipëri gjatë verës pa kërkuar më parë leje.
Duke parë një mundësi, operatorët turistikë ofrojnë paketa të lira për shqiptarët që dëshirojnë të vizitojnë Dubain ose Abu Dhabin.
Disa të rinj shqiptarë madje kanë gjetur punë atje, veçanërisht në industrinë e argëtimit. \VoxNews