Ish-drejtori i Policisë së Shtetit, Shemsi Prençi, është shprehur se efektivi i ndjerë i ‘Shqiponjave’ në Fier, Novruz Cenaliaj, duhet të kishte vepruar më shpejt dhe ta kishte vrarë autorin 23-vjeçar, Azgan Mërnica.
Komentet Prençi i bëri në emisionin “Now”, ku tha se ka një ligj të pashkruar që thotë ‘më mirë të qajë nëna e kriminelit, sesa nëna e policit’.
Ai tha gjithashtu se më mirë efektivi i Policisë të vriste autorin dhe të pranonte të bënte disa vite burg, sesa ta lejonte atë që t’i merrte jetën.
“I ndjeri duhet të kishte vepruar më shpejt dhe ta vriste. Kur e pa se nxori armën, kur e pa që çoi dorën atje, duhet ta dinte se ajo lloj rrace, ai lloj fisi, ai lloj njeriu të vret.
Në këtë rast siç thotë ligji, le të pranonte si i ati të bënte disa vite burg.
Ngjarja është shumë e rëndë, por po t’i bëjmë analizën, polici është i trajnuar për këtë punë dhe policët hezitojnë në përdorimin e armëve.
Ndonjëherë duhet përdorur edhe në kushtet e mbrojtjes ekstreme, por edhe në kushtet e mbrojtjes së nevojshme. Është një ligj i pashkruar që thotë më mirë të qajë nëna e kriminelit sesa nëna e policit”, tha Prençi.