Ka zgjatur për rreth 5 orë pengmarrja e dy fëmijëve nga babai i tij në qytetin e Durrësit, në një banesë që ishte marrë me qera javore prej tij. Të shtënat e para me armë janë regjistruar në orën 2 të mëngjesit, ndërsa neutralizimi i Aleks Markut është bërë vetëm në orën 7 të mëngjesit të sotëm.
Marku, 40-vjeç me origjinë nga qyteti i Lezhës, është babai që mori peng dy fëmijët e tij në qytetin e Durrësit, dhe qëlloi me breshëri arme.
Policia lokale e Durrësit, ka kërkuar ndërhyrjen e RENEA-s për neutralizimin e 40-vjeçarit, i cili kishte marrë me qera për një javë banesën ku ndodhi ngjarja.
Pas disa orësh negociata, nga Njësia e Negocimit e Repartit “RENEA”, dhe me ndërhyrjen e specializuar të njësive të RENEA-s, në bashkëveprim me strukturat e DVP Durrës, nën masa të larta sigurie, u bë i mundur neutralizimi dhe kapja e shtetasit Aleks Marku, të cilit në banesë iu gjet një armë zjarri kallashnikov, një krehër me fishekë, si dhe 18 gëzhoja në brendësi të banesës.
Siç shihet dhe nga pamjet, në momentin e arrestimit, 40 vjeçari ka qenë i zhveshur nga mesi e sipër, ndërsa në banesë u gjet arma e zjarrit tip kallashnikov, si dhe disa gëzhoja plumbash.