Raiffeisen Bank , Union Bank dhe OTP po zhvasin shqiptarët me tarifat dhe normat e interesit, fitime kolosale në tre muaj, Gent Sejko fsheh kokën si “struci”
Fitimet e sistemit bankar shënuan një rritje vjetore në masën 41% duke arritur në 9.6 miliardë lekë (afërsisht 90 milionë euro) gjatë tremujorit të parë të këtij viti, duke reflektuar vijimin e qëndrimit në nivele të larta të interesave të borxhit publik, rritjen e interesave për kreditë dhe konkurrencën e paktë në segmentin e shërbimeve të pagesave.
Të dhënat e publikuara nga Banka e Shqipërisë dhe Shoqata Shqiptare e Bankave, tregojnë se bankat janë tashmë në gjendje të fitojnë 20 lekë për çdo 100 lekë kapital aksioner dhe 2 lekë për çdo 100 lekë asete. Raiffeisen Bank shënoi normën më të lartë të kthimit mbi kapitalin aksioner, njohur nga akronimi në anglisht ROE, duke fituar neto 28 lekë për çdo 100 lekë kapital, pasuar nga OTP Bank dhe Union Bank me 25%. Asnjë nga bankat nuk rezultoi me humbje.
Fitimet e shtuara të bankave dukshëm nuk vijnë nga zgjerimi i aktivitetit por nga aftësia për të vjelë më shumë fitime nga të njëjtat asete. Kështu, ndërsa portofoli i kredive u rrit me 6.6% dhe depozitat u rritën me 5.8%, fitimet neto u rritën me 41%.
Totali i aseteve në sistemin bankar shënoi vlerën 1.98 trilionë lekë (afërsisht 19 miliardë euro). Bankat i kanë investuar 37% të këtyre parave në tregun e kredive për individët apo bizneset ndërsa 40% janë vendosur në tituj, (kryeisht në borxhin publik shqiptar). Pjesa tjetër janë investime në tregun ndërbankar.
Suksesi i sistemit bankar këtë herë lidhet veçanërisht me rritjen e interesave të borxhit publik në lekë dhe qëndrimit të këtyre interesave në nivele të konsiderueshme pavarësisht se borxhi publik është në rënie për shkak të inflacionit të lartë të viteve të fundit.
Interesat e kredive ndërkohë raportohet se kanë pësuar rënie. Gjatë muajit mars të këtij viti, kredia në lekë për individët u dha me një normë interesi mesatar prej 6.56%. Në mars të vitit 2023 ishte 7.54%. Edhe interesat e kredive për biznes ranë në bazë vjetore nga 7.14% në 6.38%. /birn