Dhjetra dosje përmbarimi, të gjitha të shoqërisë “Zig”, të një kategorie biznesmenësh që kishin kredi te bankat Societe General Bank, Banka Kombëtare Greke (NBG), Alpha Bank dhe Union Bank, janë vjedhur në Ministrinë e Drejtësisë gjatë festave të nëntorit të vitit 2022.
Prapaskena shkruan se në nëntorin e vitit 2019, Arben Meskuti që ka krijuar një rrjet kompanish si Consulting Company, Final, Micro Credit Albania (MCA), ADCA, ZIG, FLASH, FS, Re/Plus, Re/Max, ka dorëzuar disa thasë me dosje të kompanisë “Zig” në Ministrinë e Drejtësisë, pasi iu hoq licensa e përmbaruesit. Në ato thasë kishte edhe dosje të blera nga Micro Credit Albania e Olsi Ibros.
Por ky skandal, nuk është raportuar asnjëherë nga Ministria e Drejtësisë.
Ministri Ulsi Manja deklaroi pak ditë më parë në Komision se kishte gjetur gjashtë mijë dosje të kompanisë përmbarimore “Zig”, të cilës i është hequr licenca.
Po dosjet e vjedhura ku shkuan?
Raportimet tregojnë se dera e arkivës së ministrisë u gjet nga punonjësit e shqyer një mëngjes nëntori të vitit 2022 dhe se Policia e rrethoi me shirita arkivën për disa muaj, si skenë krimi, si dhe sekuestroi pajisjen Regjistruese (DVR) për kamerat e sigurisë që vëzhgonte brenda ambjenteve të institucionit.
Çështja është referuar në Prokurorinë e Tiranës, por deri më tani, edhe pse kanë kaluar dy vite, nuk ka zbardhur asgjë. Çudia qëndron në faktin se edhe kamerat e sigurisë së insitucionit ishin fikur në ditën e ngjarjes.
A kanë pasur bashkëpunëtorë ‘grabitësit’?
Njëra prej tyre dyshohet se ka qenë punonjësja A.A që dyshohet të ketë pasur njohje me Meskutin dhe Ibron në grabitjen e dhjetra dosjeve të shoqërisë “Zig”.
Një vit më vonë, Manja urdhëroi që të bëhej një inventarizim i dosjeve të “Zig” që ndodheshin në arkivë dhe 100 punonjësit e shërbimit të provës dhe burgjeve dol;ën në përfundimin se mungonin dhjetëra dosje biznesmenësh.
Por, asgjë s’u bë publike!
Tashmë, mashtrimi me mikrokreditë ka kaluar në SPAK. Guvernatori i Bankës së Shqipërisë Gent Sejko është paraqitur sot për herë të parë në SPAK, disa muaj pasi ZËRI ka ndjekur vazhdimisht skandalin e mikrokredive që ka cënuar pronat e mijëra qytetarëve shqiptarë. Dosja që përfshin dhe guvernatorin e Bankës së Shqipërisë po hetohet për akuzën e shpërdorimit të detyrës, në kuadër të grupit të strukturuar kriminal.
Mediat prej kohësh kanë ndjekur shqetësimin e dhjetra qytetarëve, që përveç interesave të larta, janë përballur dhe me bllokimin e pronave të tyre, pas shitjes së kredive në kompani të tjera financiare.
Skema është kallëzuar fillimisht në Prokurorinë e Tiranës nga Ministria e Drejtësisë, dhe tashmë pas më shumë se dy vitesh, dosja e hetimeve do të jetë në dorë të SPAK.
Por çfarë është ky skandal për të cilin flitet pak?
Prej 6 muajsh, Gazeta Korrieri denoncon dhe grumbullon dëshmi të viktimave që ranë pre e njoftimeve grackë për të marrë kredi në zyra mikrokredie. Këto zyra përmes njoftimeve online dhe në televizione, krijuan një perceptim të gabuar te qytetarët se ishin njësoj si bankat e tjera.
Në fakt, në realitet këto zyra japin kredi shpejt dhe me norma përtej normales. Pa asnjë filtër, Kredo, Iutecredit apo Fondi Besa, iu japin qytetarëve mikrokredi në situata që ata nuk munden dot kurrsesi ti paguajnë. Këtu nisi dhe kalvari i abuzimeve. Kreditë e këqija të mikrokredive përfshirë dhe ato të bankave iu shitën MCR, ku në një rast, vetë gruaja e guvernatorit Gent Sejko, në postin e drejtoreshës së Tirana Bank, shiti 5 mijë kredi me një të rënë të lapsit te dyshja Olsi dhe Elda Ibro, të cilët me licencën e dhuruar nga Guvernatori nisën presionet dhe shantazhet mbi viktimat për të mbledhur paratë.
Bashkë me ta, në treg janë dhe qindra zyra ligjore që ushtrojnë presion për mbledhjen e parave duke shkelur haptaz ligjin për njoftimin, kamatvonesat apo kalimin e çështjes në gjykatë. Tashmë çështja është në duart e SPAK dhe kutia e “Pandorës” pritet të hapet.
Kush i lejoi, për kë punuan këta agjentë mikrokredie dhe ku abuzuan ata, këto janë disa nga pyetjet që shtrohen sot? SPAK duhet ti japë një përgjigje!