Roan Brahimi është 32-vjeçari, i cili u ekzekutua me armë zjarri në Athinë mbrëmjen e së enjtes (9 maj), ngjarje e cila është parë nga familjarët e tij, gruaja dhe vajza e mitur.
Skenat e panikut që pasuan vrasjen mizore u përshkruan nga një biznesmen, dyqani i të cilit ndodhet pak metra larg vendit të ekzekutimit.
Sipas tij, fillimisht ka dëgjuar tre të shtëna dhe sapo ka dalë nga dyqani i tij për të parë se çfarë ka ndodhur ka parë një grua në gjendje shoku.
“Kam dëgjuar tre të shtëna. Në atë moment dëgjova në radio se tifozet e Olimpiakosit po hynin në stadium dhe pyeta veten ‘a filluan fishekzjarret tani?’
“Unë dola në hyrje të dyqanit tim dhe shoh një grua që hap derën e makinës dhe bërtet”, tha më tej pronari i dyqanit, i cili tha se “kur vrasësi qëlluan me armë kishte dhe fëmijë”, shkruan voxnews.
Media greke “Protothema” shkruan se e gjithë ngjarja ka ndodhur në sy të fëmijës së tij.
Dyshohet se krimi eshte kryer për larje hesapesh mes grupeve kriminale. Personat që ishin të pranishëm në vendngjarje gjithashtu kanë parë të gjithë skenën.
“Vajza ime e vogël po luante me femijen e tij. Dëgjuam të shtënat dhe vrapova për të parë nëse ishte diçka apo ishte thjesht një lojë. Vogëlushja qante dhe thoshte “babi im, babi im”, thotë një grua dëshmitare.
Si ndodhi vrasja
Gjithçka ndodhi pak pas orës 21:30 të së enjtes në rrugën Messolongiou kur viktima ishte në makinë me një grua.
Papritur një motoçikletë ka kaluar makinën dhe një person ka nxjerrë një armë dhe ka nisur të qëllojë në automjet.
Burri ka vdekur nga të shtënat, ndërsa gruaja fillimisht u raportua se mbeti e plagosur, por më pas u saktësua se nuk kishte pësuar lëndime.
Kush është viktima?
32-vjeçari, i cili njihet edhe si armiku i Ervis Martinajt ka qenë një personazh i lakuar në disa ngjarje të rënda kriminale në qarkun e Lezhës, por jo vetëm.
Tre vite më parë, ai u shpall në kërkim nga policia pasi dyshohej se së bashku me 2 persona të tjerë, mes të cilëve Ramazan Rrajën dhe Alesio Dobrozin mësynë të armatosur në ambientet e një lokali në Lezhë.
Në atentatin 22 korrikut 2022, ku ka qene i perfshire Roan Brahimi shpëtoi Ylli Ibrahimi por u vra Klisman Preçi. Atentati ndodhi kur të dy po ktheheshin në shtëpi me makinë të blinduar, kur u qëlluan me breshëri kallashnikovi.