Prej kohësh po flitet për një masë sigurie që pritet të jepet ndaj Ilir Metës, por ai thotë se nuk ka asnjë stepje. I ftuar në A2 CNN, presidenti i Partisë së Lirisë tha se nuk ka asnjë frikë nga burgu.
“Po ça burgu, unë frikë nga burgu, më habit. Shqiptarët më dinë dhe më njohin mua, ju duhet të kuptoni që përpjekja e tyre është për të frikësuar shqiptarët e ndershëm duke goditur politikisht Berishën, e godasin se ka dalë kundër ndarjes së Kosovës dhe projektet për shpopullimin e Shqipërisë. As nuk kam asnjë droje, Partia e Lirisë e ka zgjidhur me konventë lidershipit për 30 vitet që vijnë dhe çështjen e financimit, dhe Partia e Lirisë i përgjigjet kujdo atje ku e ka strofullën, këto mercenarë ca janë këto Dumanë, pas Rama. Liria ime është në dorën time, Rama dhe Dumani janë në burg sepse janë peng i gjërave që kanë bërë”, tha Meta.
Sa i përket Monika Kryemadhit e cila thirrur në SPAK për fshehje pasurie, Meta dha të njëjtën përgjigje si kryeministri Edi Rama “për mollët e kalbura që bien nga pema”.
Sipas tij, përgjegjësia është personale.
“Përgjegjësia është personale për çdo person. Ai ka përgjegjësi se ka firmosur 17 vendime me kundërshtim me ligjin”, tha Meta.
Sakaq, Meta nuk dha një përgjigje të drejtpërdrejtë nëse është thirrur në SPAK, për dosjen CEZ-DIA.
Meta tha se është thirrur në Prokurorinë e Posaçme, “për qejf të Edi Ramës”.
“Unë kam qenë në SPAK shumë seriozisht, për një çështje qesharake. Edhe për Cez DIA nuk kam asnjë lidhje unë, jo ka qenë në 2019 kur kam qenë në kulmin e presioneve që të shkelja Kushtetutën. Unë atje jam thirrur për qejfin e Edi Ramës, por kam shkuar për të respektuar”, tha Meta.
Ndonëse nuk ka më një retorikë të ashpër, si “Dumdumani” apo “palaço”, Meta ka vijuar akuzat në drejtim të Altin Dumanit.
“Altin Dumani nuk është drejtuesi por fatkeqësisht kancelari i SPAK-ut, që thjesht përcjell shkresat për llogari të Edi Ramës. A është thirrur ndonjëherë Edi Rama nga SPAK-u? Edi Rama përgjegjësi kryesor për aferën e inceneratorëve nuk është thirrur asnjëherë nga SPAK. Erion Veliaj duhet të ishte arrestuar para 4 vitesh. Kjo tregon çdo gjë”, tha Meta.
Retorikën e ashpër ndaj ish-kryetares së Partisë së Lirisë, njëherazi dhe bashkëshorten e tij, Monika Kryemadhi, Ilir Meta e konsideroi si të zakonshme në një aksion politik, kur denoncon një fenomen të caktuar, siç është nepotizmi.
Meta thotë ka sulmuar nepotizmin, si fenomen në parti dhe në administratë, dhe jo Monika Kryemadhin.
“Ajo puna e retorikës e mënyrës së komunikimit është një zgjedhje e imja që ka të bëjë me fenomenin, jo me individin”, tha Meta.