Ishin bashkëshortë, jetonin nën të njëjtën çati. Por kishin kohë që nuk komunikonin me njëri-tjetrin.
Këtë e vërteton telefoni i Erdgys Arrazit që është këqyrur nga polica e Shkodrës dhe që i është përcjellë policisë shkencore në Tiranë për riekspertim e për të rikthyer komunikimet me të shoqen Alma Arrazin, e cila u vetë mbyt së bashku me tre fëmijët. Burimet e TCH konfirmuan se dëshmitare kyç për vijimësinë e hetimeve ndaj të akuzuarit Erdgys Arrazi arrestuar për shkaktim të vetëvrasjes do të konsiderohet kunata e tij, që është njeriu i fundit që takoi të ndjerën pak përpara se ajo të vetëvritej.
Megjithëse 31-vjeçari është i paraburgosur, për prokurorinë është e rëndësishme gjetja e provave shtesë që do siguronin dënimin e tij për shkaktim vetëvrasjeje përmes dhunës psikologjike, që kulmoi shtatë muaj më parë kur kryefamiljari nisi një lidhje jashtë martesore. Gjetja e provave shtesë nevojitet për shkak të një hetimi të mëparshëm pothuajse të ngjashme ku nga largimi i nënës dhe konflikteve të xhelozisë, Naum Toshi mbyti dy djemtë dhe u vetëvar.
Tragjedia e 5 dhjetorit 2016 përfundoi në gjykatë dhe siç përmendet në shkresa kryefamiljari kërkoi ndihmë në polici për largimin e të shoqes me të cilën kishte patur konflikt, teksa Marsela Toshi denonconte se burri i kërkoi të ikte nga shtëpia. Nëna e dy fëmijëve të ndjerë menjëherë pas tragjedisë u vendos nën hetim dhe ndaj saj u ngrit akuzë.
Në fund të 2023, Gjykata e Lartë tha tragjedia që tronditi vendin ku babai mbyti dy djemtë njëri katër vjeç dhe tjetri 7 vjeç nuk ndodhi për shkak të nënës dhe se gruaja duhet dënuar për braktisje të të miturve.
Në dosje përmendet se si babai i dy djemve përpara se të ndërmerrte vrasjen e dyfishtë dhe ti jepte fund jetës kishte shkruar “unë po iki po i marr dhe dy fëmijët që të mos jetë jetim, pa nënë e pa babë. As në shtet nuk i lë dot se do kenë një emër tjetër. Në këto dorëshkrime ai shkruan mbi marrëdhënien konfliktuale. “Erdhi në datën 4 dhjetor. Kërkoi çfarë i duhet dhe iku me atë që do. Me zor nuk e mbaj dot ma nxiu jetën kjo martesë”.
Në fashikull prokuroria mblodhi si prova dëshmitë e familjarëve dhe këqyri edhe sistemin TIMS ku provoi se nëna i kishte braktisur.
Ky rast analogjik pritet të merret si orientim nga grupi i hetimit i cili këmbëngul se do të ripyetet motra e të ndjerës, por edhe disa persona të tjerë.