Prokuroria e Posaçme (SPAK), në një njoftim për mediat, dha detaje nga mbyllja e hetimeve për dosjen Metamorfoza 1, ku dërgoi për gjykim 7 persona, përfshirë biznesmenin Pëllumb Gjoka, Behar Bajrin, ish-prokurorin Xhevahir Lita, apo ish-shefin e operacionales Oltion Bistri.
Në fund të njoftimit, SPAK, thotë se ka veçuar dosjen për personat e tjerë që dyshohen si të implikuar, për të cilët nuk është ekzekutuar ende masa e sigurisë. Në këtë listë bën pjesë dhe ish-bosi i lojërave të fatit, i cili prej afro dy vitesh rezulton i humbur pa gjurmë. I shumëkërkuari i policisë shfaqet në bisedat me Behar Bajrin të cilit i kërkon vrasjen e Gjin Ndojit.
Për gjetjen e Martinajt, Policia ka ndërmarrë dhjetra operacione, por deri tani nuk kanë arritur në asnjë konkluzion zyrtar në lidhje me fatin e tij.
Por kush është Ervis Martinaj?
Ervis Martinaj rezulton i zhdukur që prej 9 gushtit të vitit 2022. Ai ishte shpallur në kërkim, në kuadër të operacionit “Plumbi i Artë”, pasi i penduari i drejtësisë Nuredin Dumani, tha se i kishte ofruar një ‘çek të bardhë’ në këmbim të ‘kokës’ së Indrit Dokles. Po ashtu ai ka qenë i përfshirë edhe në dosjen Metamorfoza, arrestimet e të cilës u kryen pas zhdukjes së tij. Edhe pse kanë kaluar afro dy vite nga zhdukja dhe ka kaluar çdo afat i dhënë nga kryeministri Edi Rama për kryepolicin Muhamet Rrumbullaku që ngjarja të zbardhet, deri tani policia nuk ka asnjë version të besueshëm dhe përfundimtar.