INVESTIGIMI/ I skeduari si trafikant droge Nazif Bajrami merr miliona euro tendera, po rikonstrukton edhe godinën e Policisë së Elbasanit
“Ina Media” ka zbuluar një skandal që lidh Policinë e Elbasanit me një person të skeduar për trafik të lëndëve narkotike, i cili është identifikuar si Nafiz Bajrami.
Por Policia, me “mirëbesim” i jep në duar çelësat e Policisë së Elbasanit, duke e shpallur kompaninë e tij, fituese të tenderit për rikonstruksionin e disa godinave.
Madje edhe me ‘godinën’ më të rëndësishme, që duhet të jetë konfidenciale vetëm për ta, por tashmë e di edhe një person që nuk dihet. Për më tepër që është i skeduar.
“Ne jemi civilë dhe asnjë nuk duhet të dijë se ku jemi të angazhuar specifikisht, ku janë zyrat tona, kush jemi ne. Por, ata dinë çdo gjë, që përpara se ne të dalim nga porta e policisë”, – shprehet oficeri, i cili me një reagim instinktiv përpiqet që ta mbulojë pjesërisht fytyrën. I pyetur nga Investigative Netëork Albania se çfarë nënkupton me “ata”, efektivi sqaron: Ka individë, që kanë qenë nën vëzhgim për një kohë të gjatë dhe që prej muajsh kalojnë para nesh si rikonstruktuesit e Drejtorisë dhe të Komisariatit të Elbasanit.,”-shkruhet ndër të tjera në artikull.
Në dhjetor të vitit 2020, një shkresë e klasifikuar për 10 vjet nga Interpol Tirana, informon Departamentin e Policisë Kriminale mbi të dhënat e Interpol Bernës për aktivitetin e dyshimtë të Nazif Bajramit, një biznesmen i njohur në Elbasan.
Informacioni i referohet vitit 2019 e në vazhdim, ku zviceranët e konsiderojnë biznesmenin 55-vjeçar si një person të skeduar për trafik të lëndëve narkotike, në bashkëpunim.
Në shkresën e firmosur nga shefi i Interpol Tirana, zviceranët rendisin edhe emrat e bashkëpunëtorëve të biznesmenit, numrat e telefonit të secilit dhe vendet ku e zhvillojnë trafikun.
“Këta shtetas ishin anëtarë të një organizate kriminale, të përbërë nga italianë dhe shqiptarë, që trafikonte sasi të mëdha droge nga Holanda, nga Gjermania, nga Spanja në Zvicër. Ky shtetas, nga viti 2018 deri në maj të vitit 2019, ka udhëtuar me makinën e tij, Land Rover…, në Shtutgart/Gjermani, në Holandë dhe në Spanjë”, – thuhet në dokumentin sekret.
Në fakt, dyshimet ndaj grupit prej 10 personash nga Elbasani dhe nga Peqini, ku përfshihet edhe Bajrami, ishin shkëmbyer midis policive, duke sjellë vëzhgime dhe ndjekje në Shqipëri.
Të huajt informojnë se grupi kryen trafik kokaine nga vendet e Amerikës Latine përmes linjës Shqipëri-Zvicër dhe Itali-Gjermani-Holandë-Belgjikë.
Në krye të tre viteve, kur i delegohet Policisë së Elbasanit nga Policia e Shtetit, çështja arkivohet. Në të njëjtën kohë, kompanisë Bajrami N., me ortak të vetëm Nazif Bajramin, i jepen në dorë çelësat e Policisë së Elbasanit, pasi u shpall fituese e tenderit për rikonstruksionin e disa godinave.
“Arkivim do të thotë që mbetet një çështje që nuk është vërtetuar për të vazhduar procedurat ligjore, por çështja mund të hapet në çdo moment, kur ka përsëri indicie. Pra, çdo person i dyshuar, edhe kur nuk ka prova, mbetet në arshiva, me mundësinë që këto arshiva të rihapen”, – shpjegon Fatjon Softa, ekspert për çështjet e sigurisë.
Autoriteti Kontraktor, që i dorëzoi të gjitha hartat dhe plan-vendosjet e strukturave, që duhet të jenë konfidenciale (përfshirë Zyra e Informacionit Kriminal, dhomat e njohjes apo zyrat e agjentëve të krimit të organizuar), ishte Policia e Shtetit.
“Për një kohë të gjatë në Shqipëri ka ekzistuar problematika e tenderëve publikë, të cilët jo në pak raste kanë shkuar te kompanitë, të cilat në mënyrë të drejtpërdrejtë apo të tërthortë janë administruar nga persona të lidhur me krimin e organizuar”, – komenton Fatjona Mejdini, Drejtoreshë e Observatorit për Europën Juglindore në Iniciativën Globale Kundër Krimit të Organizuar, Ndërkombëtar.
“Kjo praktikë është zhvilluar për shkak të një lidhjeje, që shpesh ekziston mes elementëve kriminalë dhe përfaqësuesve të partive politike”, – thotë më tej Mejdini.
Arjan Dyrmishi i qëndron logjikës së parashikimit ligjor të prokurimit publik, por sugjeron se ka nevojë për rregullime më të qarta, administrative.
“Është balancë e vështirë. Do të duhet që të ketë një hetim kriminal, përpara se të hyjë në tender, por nga ana ligjore nuk e pengon dot, nëse nuk ka dënim”, – thotë Arjan Dyrmishi, ekspert i sigurisë.
I gjurmuar nga policia, sot ka në dorë çelësat e saj
Pak përpara se të hyjë në drejtorinë e policisë vendore, të kthyer prej 14 muajsh në një kantier ndërtimi, një oficer, që merret me hetimin e krimeve të rënda në Elbasan, e zbret kapelën ngjitur me sytë. Shqetësimi i oficerit lidhet me ekspozimin e identitetit të tij dhe të kolegëve, që hetojnë krimin e organizuar në qytet dhe trafikun e drogës.
“Ne jemi civilë dhe asnjë nuk duhet të dijë se ku jemi të angazhuar specifikisht, ku janë zyrat tona, kush jemi ne. Por, ata dinë çdo gjë, që përpara se ne të dalim nga porta e policisë”, – shprehet oficeri, i cili me një reagim instinktiv përpiqet që ta mbulojë pjesërisht fytyrën.
I pyetur nga Investigative Network Albania se çfarë nënkupton me “ata”, efektivi sqaron: Ka individë, që kanë qenë nën vëzhgim për një kohë të gjatë dhe që prej muajsh kalojnë para nesh si rikonstruktuesit e Drejtorisë dhe të Komisariatit të Elbasanit.
Shkresat e investiguara nga INA Media tregojnë se procedura për rikonstruksionin e policisë lokale u publikua më 24 prill 2022.
Me autoritet kontraktor Policinë e Shtetit, që ofroi një fond limit prej 340 milionë lekësh, bashkimi i operatorëve Bajrami N., sh.p.k., & Zdravo sh.p.k., u klasifikuan si oferta më e favorshme, ekonomike.
Çështja rezulton se u ankimua pranë Komisionit të Prokurimit Publik nga njëri prej operatorëve të shkualifikuar, që kërkoi shfuqizimin e vendimit të Komisionit të Vlerësimit të Ofertave.
Kërkesa nuk u pranua, ndërsa ngelën të pavërtetuara informacionet operative se njëri nga administratorët e një tjetër shoqërie konkurrente në garë ishte kërcënuar për t`u tërhequr.
Njëri prej garuesve e pranoi këtë situatë të vështirë në kushte anonimiteti, por, në momentin që iu kërkua të prononcohej, refuzoi që ta bëjë diçka të tillë. Me informacione të të huajve, që policia i dispononte dhe me të dhëna shtesë, që ngelën rrëfime, u lidh kontrata më 25 tetor 2022.
INA Media e pyeti Policinë e Elbasanit për ndjekjen policore të Nazif Bajramit dhe mori këtë përgjigje: Për çdo person, ndaj të cilit ka informacione, të cilat klasifikohen si “sekret”, nuk mund t’ju vihen në dispozicion.
Nazif Bajrami është bashkëshorti i Anduena Bajramit, e cila ka mbajtur postin e nënkryetares së Bashkisë së Elbasanit, nga dhjetori 2013 deri në mars 2016, gjatë kohës që kryebashkiak ishte Qazim Sejdini, gjithashtu i lakuar për tenderët e dyshimtë.
Bajrami N., sh.p.k. është një kompani, që ka fituar dhjetëra tenderë publikë nga pushteti lokal dhe ai qendror. Vetëm në Bashkinë e Elbasanit është klasifikuar fituese në 35 tenderë, nga 66 në total, që ka përfituar nga pushteti vendor në shkallë vendi.
Referuar të dhënave në Open Data, nga totali i tenderëve të fituar nga pushteti lokal, 30 prej tyre janë klasifikuar me red flag për mungesë konkurrence apo shkualifikim të të gjithë operatorëve, pra duke mbetur i vetëm në garë. Përgjatë viteve 2019-2024, kjo shoqëri ka përfituar 24 milionë euro pagesa nga Thesari i Shtetit.
Policia e Elbasanit, nën ndërtim dhe me operacione sekrete
Ndërkohë që policia lokale është kthyer në kantier ndërtimi, përfaqësues të drejtësisë belge u shfaqën sërish në muajin dhjetor 2023, duke kërkuar në sekret të plotë angazhimin e Policisë së Shtetit dhe policisë vendore për të goditur grupet kriminale, që veprojnë në Elbasan. Një sekret i vështirë për t`u mbajtur.
Në të njëjtën kohë me kontrollet e ligjzbatuesve të huaj, strukturat e Policisë së Elbasanit ankohen për zvarritje punimesh. Në shkresën e 6 marsit 2024, përcjellë policisë qendrore në Tiranë, thuhet se për këtë problem është mbajtur më 27 shkurt një mbledhje e veçantë.
Zef Preçi, ekspert ekonomie, këmbëngul për INA Media-n se, pavarësisht parashikimeve ligjore, Policia e Shtetit duhet ta kishte shmangur klasifikimin e një operatori, që ishte në hetim e sipër.
“Janë të njohura rastet, kur familjarë/ortakë të eksponentëve të krimit të organizuar, të hetuar e të dënuar nga gjykatat e vendit, kanë fituar dhe vazhdojnë të fitojnë tenderë të rëndësishëm, për shembull për ruajtjen dhe sigurinë fizike të gjykatave, prokurorisë”, – argumenton eksperti.
Por, ky nuk është i vetmi tender i dyshimtë i kompanisë Bajrami N., sh.p.k.
Aktualisht, për një tjetër tender me autoritet kontraktues universitetin “Aleksandër Xhuvani”, i ankimuar pranë Komisionit të Prokurimit Publik, ka të dhëna se është kërcënuar administratori, E. H. Bëhet fjalë për tenderin me objekt “Ndërtimi i Godinës së Fakultetit të Shkencave Mjekësore Teknike”, me fond limit 738 milionë lekë, të zhvilluar më 31 janar 2024.
Burime të besueshme të Shërbimit Informativ Shtetëror referojnë se E. H., është kërcënuar nga Bujar Shega, që të ndikonte për ta klasifikuar fituese kompaninë Bajrami N., sh.p.k.
Shega, që njihet ndryshe edhe si Marsel Shega, është i skeduar për lidhje me trafikun e drogës me Suel Çelën.
Lidhja e Bujar Shegës me biznesmenin Bajrami provohet edhe nga udhëtimet e tyre së bashku.
Rasti më i fundit, i investiguar nga INA Media, tregohet në sistemin TIMS, ku Bujar Shega ka udhëtuar së bashku me Nazif Bajramin në datën 19 shkurt 2024, ora 12:04, me një makinë Benz (Ac 1… VG), duke dalë nga Shqipëria përmes Qafë-Thanës dhe duke u kthyer së bashku brenda së njëjtës ditë. I kontaktuar nga INA Media, E. H. nuk iu përgjigj pyetjeve të redaksisë nga kush është kërcënuar. Edhe biznesmeni Bajrami nuk iu përgjigj pyetjeve, nëse kishte probleme me drejtësinë dhe çfarë lidhjesh kishte me Bujar Shegën.
Ekspertët sugjerojnë se kjo është skema klasike se si grupet kriminale influencojnë dhe përdorin biznese të ndryshme për të përfituar tenderë publikë.
“Në shumë raste përfaqësuesit e grupeve kriminale përdorin persona të tjerë, të paimplikuar dukshëm në krim, në drejtimin e kompanive, duke u përpjekur që të mbulojnë gjurmët e tyre”, – shpjegon Fajtona Mejdini.
Për Mejdinin fitimi i tenderëve nga grupet kriminale është oportunitet i rëndësishëm për ta.
“E para, sepse këto grupe përfitojnë të ardhura përmes tenderëve dhe e dyta, sepse këto kontrata të fituara përdoren si imazh i mirë për kompanitë e tyre dhe shërbejnë si rezultat për të pastruar paratë, që vijnë nga aktivitetet kriminale”, – shpjegon Mejdini.
“Fenomeni është jashtëzakonisht i rrezikshëm dhe cenon, jo vetëm financat e shtetit, por çon dhe në kontroll të zonave të caktuara nga grupe kriminale”, – përfundon ajo. Në një dosje të Prokurorisë së Elbasanit, që INA Media disponon, Shega dyshohet se është pjesë e një hetimi të hapur për pastrim parash në vitin 2018.
Përveç tij konsiderohet si pjesëtar i organizatës kriminale edhe ish-deputeti socialist, Aqif Rakipi, që ka humbur mandatin në vitin 2018 dhe është shpallur non grata nga SHBA-të. Personi, që bëhet shkaktar për nisjen e këtij procedimi, është Emiliano Shega, kushëri i Bujar Shegës, si person i bashkëlidhur me të është edhe i vëllai, Gentian Hoxha (Shega), dhëndër i ish deputetit Rakipi.
Policia Gjyqësore thotë: Paratë (e Emiliano Shegës) me origjinë kriminale po pastrohen në Shqipëri përmes personave të lidhur me të, ku përfshihet edhe ish-deputeti dhe e bija, bashkëshorte e Gentian Hoxhës, si dhe 14 shtetas të tjerë, shqiptarë, nga të cilët 7 me aktivitet në Britaninë e Madhe.
Ky hetim dyshon për një rrjet trafikimi të kokainës nga Guayaquil, Ekuador, drejt Europës, i cili dyshohet se drejtohet nga Gentian Hoxha, dhëndri i ish-deputetit.
Dy vjet nga nisja e hetimeve, dosja është pezulluar, me argumentin se janë dërguar letërporosi drejt Mbretërisë së Bashkuar dhe Mbretërisë së Vendeve të Ulëta. Në të njëjtën kohë që ky procedim (nr. 1440) është pezulluar nga Prokuroria e Elbasanit, OFL referoi në SPAK sekuestrim të 14 pasurive të vëllezërve Shega, Emiliano dhe Gentian, si dhe personave të bashkëlidhur.
Megjithatë, SPAK pranon se është në dijeni që ka një hetim pastrimi parash nga Elbasani për të gjithë personat e lartpërmendur, por që nuk është ende në dijeni për një vendimmarrje nga Prokuroria e Elbasanit.
Kartela e Emiliano Shegës evidenton se ai ishte arrestuar në vitin 2009 në Londër dhe ishte dënuar me dhjetë vjet burg për trafikim narkotikësh.
Në krye të katër viteve e katër muajve dënim, Shega u deportua nga Mbretëria e Bashkuar.
Në vendimin nr. 9, datë 18 shkurt 2022 të Gjykatës së Posaçme, vëllai i tij, Gentian Hoxha (Shega) 45 vjeç, identifikohet në të njëjtat shkresa me rekorde kriminale jashtë Shqipërisë për trafik narkotikësh.
Shtetasi Gentian Hoxha, i cili përdor edhe emrin Martin Lila, lindur më 18 shtator 1981, është drejtues i një grupi të organizuar, kriminal, i përfshirë në importimin dhe në shpërndarjen e drogave të kontrolluara, shoqëruar me pastrim parash, me lidhje direkte me Amerikën e Jugut, me bazë në Guayaquil, Ekuador”, – informon gjykatën i njëjti oficer ndërlidhës në Mbretërinë e Bashkuar.
Megjithatë, në vendimin e Gjykatës kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit, Tiranë, përmendet se përfaqësuesit e Gentian Hoxhës dorëzuan një shkresë tjetër të policisë shqiptare, sipas së cilës rezulton se “nuk është i sinjalizuar në sistemin e informacionit Schengen SIS apo në regjistrin kombëtar të personave në kërkim, OPS”.
Mes pasurive të gjurmuara nga OFL dhe të hetuara nga SPAK bien në sy shitblerjet e automjeteve luksoze, tokat kullotë në Gjilekë, Dhërmi, por edhe dhurimi i një apartamenti prej 130 metrash katrorë Emiliano Shegës nga Luan Rama, i vëllai i Fatmir Ramës (Miri i Xhikes, i vrarë 20 vjet më parë).
Prokuroria deklaroi se nuk kishte asnjë lidhje familjare midis dhuruesve dhe përfituesve, duke “patur parasysh rekordet kriminale të Emiliano Shegës dhe Gentian Hoxhës, lind dyshimi i arsyeshëm se kjo pasuri në të vërtetë është blerë nga të dyshuarit, por, me qëllim shmangien nga përgjegjësitë e ndryshme, e kanë veshur fiktivisht në formën e një kontrate dhurimi”.
Një deklaratë noteriale e djalit të çiftit këmbëngulte se “nuk ka asnjë kundërshtim me këtë akt juridik dhe e miraton plotësisht, duke qenë se Emiliano Shega ka qenë shok i ngushtë me vëllain e tij të ndjerë, Enea Rama”.
Në përfundim, në vendimin e Gjykatës së Apelit për korrupsionin dhe krimin e organizuar me nr. 140, nga 14 pasuri, për të cilat u kërkua konfiskimi, mes tyre rreth 40 mijë metra katrorë kullota në Gjilekë, Dhërmi, u kaluan në favor të shtetit vetëm 6 pasuri. Të tjerat rezultuan të falura dhe të justifikuara. Çështja është rekursuar në Gjykatën e Lartë.
Elbasani, qyteti i operacioneve ndërkombëtare
Në qytetin e Elbasanit për dy vitet e fundit janë regjistruar gjashtë operacione, përmes të cilave synohej gjetja dhe arrestimi i Suel Çelës, i përmendur në dosjet e pezulluara, hetimore për trafik narkotikësh. Por, që të gjitha pa rezultat.
Më i fundit është këqyrja për llogari të autoriteteve të Belgjikës e tregut “agro-ushqimor” në pronësi të Petrit Çelës, babai i Suel Çelës (Marjus Lulaj). Ndaj 35-vjeçarit vijon në fuqi një masë sigurie “Arrest me burg, në mungesë”, e vendosur nga Gjykata e Posaçme.
Ndaj tij po zhvillohen hetime nga SPAK për grup të strukturuar kriminal, vrasje me paramendim, e mbetur në tentativë ndaj Lulzim Mashës, sigurim i kushteve dhe i mjeteve për të kryer vrasje në dëm të shtetasit Elton Kila.
Por, përveçse një treg agro-ushqimor, ambientet nëntokësore, ku përfshihen vend-fjetjet, kënde të këqyrura me kamera dhe dyer të blinduara, të fotografuara nga policia, tregojnë se kjo është një nga zonat e qytetit, që nuk aksesohet lirshëm prej kujtdo.
Duke kujtuar kohën, kur hetonte në Drejtorinë e Elbasanit dhe duke përmendur grupet e qytetit të Elbasanit, pa lënë pas edhe Çapajt, ish-drejtuesi në azil, Shkëlqim Pepkola, insiston për INA Media-n se grupi i Suel Çelës ishte më i fuqishëm.
“Nga pikëpamja ekonomike ky grup kishte një terren më të përshtatshëm për shkak të faciliteteve dhe mbështetjeve, që kishin nga pushteti politik, ku influenca e tyre depërtonte deri tek interesat publike. Pra, ky grup kishte ndikim të dukshëm në tenderë dhe në fonde, që i alokonte në ato kohë pushteti vendor”, – thotë ish-zëvendësdrejtori për hetimin në Elbasan.
Megjithëkëtë, asnjë hetim i deritanishëm nuk ka dalë në një konkluzion të tillë. Edhe një vendim sekuestroje ndaj pasurive të identifikuara të Suel Çelës, i firmosur nga OFL, në diskutimin përfundimtar prokurori i SPAK-ut u tërhoq nga kërkesa për konfiskim.
“Në kushtet kur nga ana e personave të lidhur rezulton se justifikohen me të ardhura të ligjshme, automjeti Land Rover në emër të Petrit Çelës (i ati i Suel Çelës) dhe sekuestrimi i Land Rover-it, në ngjyrë të zezë, në emër të Mario Çelës, çmoj se nuk mund të vazhdohet më me konfiskimin e këtyre pasurive. Të procedohet me kthimin e tyre shtetasve”, – tha prokurori. Kërkesa u miratua nga gjykata dhe nuk u apelua, duke marrë formë të prerë brenda muajit.
Megjithatë, aktet numër 36 të Gjykatës së Posaçme, që iu vendosën në dispozicion INA Media-s, shfaqin skedën e Suel Çelës. Me një karrierë të nisur që 17 vjeç, u cilësua fajtor nga Gjykata e Torinos për 500 gramë kokainë.
Dy vjet më vonë Gjykata e Livornos lëshon një tjetër urdhër-arresti për trafikimin e një sasie prej 550 gramësh kokainë. Gjatë 5 viteve ai merr masa sigurie arresti, largohet nga banesa dhe në përfundim dënohet. Hetohet në Shqipëri për incidentin në hyrje të tregut “agro-ushqimor” dhe shpallet i pafajshëm nga ish-Gjykata e Krimeve të Rënda.
Një hetim i nisur ndaj tij dhe Endri Çopjes që prej vitit 2013 për akuzën e heqjes së paligjshme të lirisë të shtetasit Bledar Kurti, u pushua nga gjykata lokale.
E kundërshtuar në shkallët më të larta, Gjykata e Apelit më 18 prill 2023 urdhëroi dërgimin në gjyq për Marjus Lulajn, alias Suel Çela, dhe Endri Çopjen. Gjykimi nuk ka ende një rezultat në gjykatën lokale.
I plagosuri me armë zjarri, Bledar Karaj, ndryshe nga dëshmia fillestare, ku këmbënguli se e kishte qëlluar me armë zjarri Suel Çela, gjashtë muaj më vonë e mohoi, me pretendimin se kishte dhënë deklarime të rreme para prokurorit dhe se nuk i njeh autorët e kësaj ngjarjeje. Detajet, që shtjellohen në vendim, tregojnë lidhjet e secilit prej tyre, siç është ajo e lokalit Living, në pronësi të Endri Çopjes, emri i të cilit u rikthye në një dosje tjetër një vit më parë.
Dhe ky është sulmi ndaj gazetarit Gjergj Zefi. Hetimi i Prokurorisë së Tiranës shpjegon se si Renato Bodurri, administrator i lokalit Living, në Elbasan, u identifikua nga automjeti i tij në vendngjarje si njëri nga autorët, që qëlloi gazetarin, por Bodurri e mohoi implikimin. Dy gjykata e besuan dhe vendosën lirimin e tij, megjithëse mbeti pa përgjigje se kush e përdori mjetin, që kishte parkuar në Shelcan dhe që çelësat i kishte lënë te Living.
“Automjeti Volksëagen Tiguan ka një çelës, që zakonisht e lë te banaku i lokalit dhe nuk mund të them me siguri, nëse këtë mjet e ka përdorur njeri tjetër”, – deklaron i dyshuari. Mbas lirimit të Bodurrit, prokurori i çështjes, Saimir Hysa, tha për INA Media-n se kishte kërkuar “Arrest me burg”, por gjykata e refuzoi.
“E kemi regjistruar “Goditje për shkak të detyrës”. Nuk është ngjarje e lehtë, është me paramendim dhe e porositur. Nuk mund të jap më detaje në këtë fazë të hetimit”, – tha për INA Media-n prokurori.
Gazetari Gjergj Zefi, i kontaktuar nga INA Media, u shpreh se ka shkruar për Suel Çelën, si çdo gazetar tjetër.
Por, gazetari nuk është në gjendje të akuzojë, përveç gjyqësorit, ndaj të cilit ka rezerva, për shkaqet që i dha lirinë Renato Bodurit.
“Dyshoj që është porositur nga burgu; nga grupet kriminale, që janë marrë me drogën dhe kanë lidhje me politikën”, – këmbëngul gazetari.
Sikurse Zefi, që nuk qe në gjendje të identifikonte agresorët, edhe dëshmitari okular, i pyetur, thotë: Ata ikën dhe unë e ndihmova, i dhashë ujë, derisa erdhi autoambulanca. Gjë tjetër nuk mbaj mend.
Shkëlqim Pepkola kujton se mbajti detyrën e zëvendësdrejtorit për Hetimin në Policinë e Elbasanit midis viteve 2015-2016.
Ai thotë se u informua, që kishte patur dhunë fizike ndaj drejtuesve të policisë në publik nga eksponentë të grupeve kriminale që, sipas tij, janë të mbrojtur nga eksponentët e politikës.
“Ekzistonte një frikë e pashpjegueshme te punonjësit e policisë me uniformë për të kapërcyer portën e institucionit e për të dalë në terren”, – rrëfen Pepkola, të cilit në një nga ditët i erdhi radha.
“M`u desh të përballem fizikisht me anëtarët e këtij grupi, të cilët ishin të armatosur me armë zjarri. Bëhet fjalë për Sokol Sanxhaktarin, dhëndër i Qazim Sejdinit, i cili kishte kanosur me armë një person në mes të qytetit dhe kishte hapur zjarr. M`u desh që të ndërhyja dhunshëm për ta çarmatosur dhe për ta arrestuar. Pati shumë ndërhyrje për ta sfumuar si rast”, – rrëfen Pepkola.
“Kërcënimet ishin të natyrshme nga ana e tij, por edhe nga persona të tretë dhe nga njerëz me influencë në Elbasan më vinin fjalë, që ky (Lala) do të të largojë nga Elbasani”, – përfundon ish-zyrtari i policisë.
Në fakt, edhe pse ka patur disa herë procedime të hapura, drejtësia ka lëvizur ngadalë ndaj anëtarëve të këtij grupi të dyshuar, kriminal./INA