Autoritetet britanike rritën dënimin për një lider shqiptar të një bande që trafikoi kokainë mes Londrës dhe Sussex.
31-vjeçari Ergest Tarja drejtoi një bandë, e cila formoi pjesë të një rrjeti kompleks, përgjegjëse për furnizimin me rreth 20 kilogramë kokainë mes dy qyteteve britanike, përgjatë një periudhë gati 3-vjeçare.
Tarja përdorte një telefon special EncroChat për të dërguar dhe marrë telefonata e mesazhe të enkriptuara, në përpjekje për të mbuluar gjurmët.
Por ekspertët e policisë franceze arritën që të zbulonin mesazhet që tregonin përfshirjen e tij në shpërndarjen e shumë kilogramëve kokainë.
Sipas asaj që shkruan britanikja Evening Standard, Tarja po vuante aktualisht dënimin me 4 vjet heqje lirie dhe u dënua edhe me 6 vjet e 6 muaj të tjera nga gjykata e Lewes, për konspiracion për shpërndarjen e kokainës dhe për përfshirjen në shpërndarjen e saj.
Më herët në gjykatë u zbulua se shqiptari jetonte prej shumë vitesh në Britani me identitet fals. Sipas autoriteteve britanike ai kishte rol drejtues duke organizuar blerjen dhe shitjen e kokainës, duke ndihmuar në shitjen e 5 kilogramëve kokainë mes Marsit 2020 dhe Prillit 2021.