Marin Gjonaj ka blerë sëfundmi truallin ku ishte ndërtuar ARMO me një çmim qesharak , objekt i mundshëm i një hetimi nga SPAK dhe pas zhvatjes për dekada me radhe të djereës së shqiptarëve, aty do të ndërtohet park fotovoltaik
Në njërin prej komunikimeve me gazetarët, kreu i SPAK Altin Dumani tha se prokurorët special nisin hetimet edhe pas raportimeve në media. Ky është një zhvillim i rendësishëm pasi tregon se Dumani dhe SPAK e kanë seriozisht duke u kthyer në shpresën e vetme të shqiptarëve.
Korrieri ka denoncuar një mori aferash gjatë vitit të fundit, siç janë abuzimet me produktet e bulmetit, problemet me pronat në bregdet, çmimi e cilësia e naftës, etj., por kësaj radhe vijmë në vëmendje të prokurorëve të SPAK një dosje sa skandaloze aq edhe të dhimbshme për mënyrën se si është shkatërruar prona e përbashkët e shqiptarëve. Bëhet fjalë për tragjedinë që mban emrin ARMO. Ajo e naftës është industria ku është abuzuar më shumë, me një numër të madh hajdutësh dhe mashtruesish që futeshin si investitorë dhe pasi e rripnin industrinë, e fusnin dhe në borxhe dhe më pas e linin.
Kështu veproi Rezart Taçi, po kështu edhe Besua i Tajvanit, ndërkohë që muajt e fundit paska dalë në treg edhe një tjetër i ngjashëm, siç është Marin Gjonaj. ‘
Mediat raportojnë se Gjonaj paska blerë tokën ku ishte vendosur ARMO pasi e shkatërruan dhe çmontuan duke e shitur për skrap. Mirëpo, çmimi i blerjes është aq qesharak dhe skandaloz sa çdo prokuror normal do të niste një hetim, e jo më super prokurorët e SPAK.
Mësohet se toka ku ishte ngritur ARMO iu shit pikërisht kompanisë GjONAJ GROUP për një shumë qesharake pas një procesi zhvatjeje prej më shumë se dy dekadash.
Ky është një proces që duhet të jetë në krye të prioriteteve të SPAK dhe prokurorive të rretheve për shkak ta babëzisë së madhe të abuzuesve të parë, por edhe blerësve si Marin Gjonaj që duket se do të ndërtojë panele diellore mbi një pronë që në çdo cm të saj kullon djersën e shqiptarëve. SPAK duhet ta hetojë këtë aferë që kutërbon abuzim, mashtrim dhe vjedhje të ditën për diellë e një malli pa zot.
Gjonaj rezulton se ka investuar në disa projekte për energjinë diellore ku herë herë është përfshirë çuditërisht, ndoshta pa njohur backgroundin e Marin Gjonajt, edhe Banka Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH).
Ndoshta për këtë duhet të hetoje KE siç hetoi OLAF për fondet IPARD, por ky fakt është objekt i një shkrimi tjetër.
Historia e dhimbshme e ARMO
Pasi u zhvat ndër vite si nën qevrisjen e Nanos, Berishës dhe Ramës, Rafineria e Ballshit u ble nga kompania Shijaku në vitin 2021 për 8 milionë euro. Rafineria ishte lënë me qira te një shoqëri me aksionerë të regjistruar në Zvicër, Tosk Energji. Pas dështimit edhe të kësaj të fundit, në vitin 2019, Rafineria e Ballshit u mbyll përfundimisht dhe nuk u arrit të gjendej një investitor tjetër i gatshëm për ta rivendosur në punë.
Përllogaritjet e investitorëve të interesuar treguan se rivendosja në punë e raferinerisë kërkonte një investim shumë të madh dhe kjo nuk u vlerësua me leverdi ekonomike.
Rafineria e Ballshit ishte ndërtuar në fund të viteve ‘70 me një teknologji të prodhimit kinez dhe prej asaj epoke investimet në të kishin qenë minimale. Përfundimisht, rafineria u çmontua në vitin 2022 dhe u shit për skrap, ndërsa në tokën ku ishte vendosur do të ndërtohet një park fotovoltaik.
Rafineria e Ballshit ishte aseti kryesor i ish-kompanisë publike të përpunimit të naftës, ARMO, që u privatizua në vitin 2009 për 128 milionë euro nga një konsorcium i udhëhequr prej biznesmenit Rezart Taçi.
Por, ky privatizim nuk solli rimëkëmbjen dhe modernizimin e rafinerisë, por fillimin e tatëpjetës dhe rrënimit përfundimtar të saj. Kompania që fitoi garën e privatizimit dhe disa kompani që e shfrytëzuan rafinerinë në seri dështuan, duke lënë pas shuma të mëdha borxhesh ndaj kreditorëve, furnitorëve, punonjësve dhe tatimeve.
Rafineria e Ballshit ishte i vetmi impiant i përpunimit të naftës bruto me qëllim prodhimin e karburanteve në Shqipëri. Për shkak të mungesës së investimeve, karburanti diesel i prodhuar në të ishte i një cilësie të dobët, por rezultonte me një çmim më të ulët se karburanti që importohet nga rafineritë e huaja. Prodhimi i karburanteve në vend mund të ndihmonte për të zbutur pjesërisht pasojat e shtrenjtimit të tyre në tregjet ndërkombëtare, duke pasur parasysh edhe faktin se Shqipëria është një vend prodhues i naftës bruto.
Prej mbylljes së Rafinerisë së Ballshit, shumica dërrmuese e naftës bruto që nxirret në Shqipëri eksportohet, me përjashtim të një sasie të vogël që përpunohet për prodhim bitumi në Rafinerinë e Fierit.