PËRLE/ Militantët e PL i “vunë zjarrin” Bashkisë së Tiranës, daja i Ilir Metës merr tenderin gjigant nga Velia
Ilir Meta dhe PL, bashkë me Belind Këlliçin dhe demokratët,protestuan para Bashkisë së Tiranës pas arrestimeve të bujshme të SPAK ndaj drejtorëve të mëdhenj të Veliajt.
Krahas saj, Meta e ka ashpërsuar ndjeshëm retorikën ndaj Veliaj, sidomos tani që sipas tij po ringre Partinë e Lirisë.
Madje, militantët e udhëhëqur nga Meta dhe Këlliçi u përplasen me policinë dhe hodhën molotov ndaj godinës së Bashkisë.
Por, në politikë gjërat nuk janë ashtu siç duken, kurse politika shqiptare është një “mish-mash” interesash që diku priten dhe diku përplasen duke fryrë xhepat e politikanëve në dëm të fatit dhe të ardhmes së shqiptarëve.
Gazeta Korrieri ka zbuluar se ndërkohë që Meta dhe Veliaj janë në luftë, daja i kreut të Partisë së Lirisë vijon të marrë lirshëm tendera nga Bashkia e Tiranës.
Gazeta Korrieri ka në dorë dosjen e tenderit “Projekti i sigurisë rrugore në disa vendkalime për këmbësore dhe numëruesve të biçikletave” me fond limit rreth 460 milion lekë të vjetra, e cila është fituar nga dy kompani, “RSM Company” shpk dhe “DESSARET Company” me një ofertë rreth 300 milionë lekë. Kjo e fundit është në pronësi të Vladimir Metanit, i cili është as më pak e as më shumë, daja i Ilir Metës.
Duket se njëra prej ditëve të protestës së Tedi Blushit, Metës dhe Këlliçit para Bashkisë së Tiranës, korrespondon edhe me momentin e firmorjes së marrjes së tenderit nga Metani.
Metani rezulton se ka marrë tendera në mënyrë të vazhdueshme gjatë viteve të fundit, ndërkohë që kulmin e shkëlqimit të tij e ka patur gjatë peirudhës kur në qeveri ka qenë nipi i tij Ilir Metaj.
Sipas dokumenteve të tenderit, dy kompanitë do të duhet që të rregullojnë disa vendkalime të këmbësorëve si edhe të vendosin numërues të biçikletave nëpër rrugët e Tiranës.