Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka kërkuar informacione nga partnerët ndërkombëtarë lidhur me personat që mendohet se kanë urdhëruar ekzekutimin e Gentjan Bejtjas. Fijet i kanë çuar hetuesit shqiptarë deri në Dubai, atje ku mendohet se strehohen kundërshtarët e tashmë të ndjerit. Gazetari Julian Kasapi shkruan se fakti që në Fushë Krujë nuk janë gjetur disa persona, rrëfimi i të cilëve do të kishte rëndësi për hetimin, ka ngritur dyshime se ata kanë gisht në ngjarje. Ky burim përputhet me faktin që për ngjarjen nuk janë marrë dot në pyetje disa personazhe të njohur të botës së krimit, me qendër në Nikël.
Por zyrtarisht, Policia e Shtetit dhe as SPAK, nuk kanë dalë me asnjë njoftim zyrtar.
Edison Haxhiu dhe Ilir Beqaraj, dy të arrestuarit e Policisë së Shtetit, nuk janë personat që kanë shtënë ndaj Bejtjas. Hetuesit pretendojnë se nga informacionet e deritanishme ekzekutorët janë nga Vlora. Megjithatë sërish nuk nuk ka të prangosur.
Shkak i atentatit dyshohet e kaluara e viktimës, por ende nuk ka një pistë për ngjarjen. Bejtja kishte dijeni edhe për shumë krime të tjera që kishin ndodhur në harkun kohor të 10 viteve të fundit, ku në mos ishte drejtpërdrejt i implikuar, të paktën kishte dijeni apo besohej se kishte tradhtuar, ata që deri dje u shërbente. Ai është dyshuar si i përfshirë në disa atentate, si personi që ka nxjerrë në pritë viktimat, informator apo ndihmës i ekzekutorëve.
42-vjeçari Bejtja u kishte shpëtuar deri më tani 3 atentateve. Më datë 4 Korrik të vitit 2023, atij iu bë një atentat jashtë ambienteve të banesës, ku mbeti i vrarë kunati i tij Ramazan Sino, 29 vjeç dhe u plagosën Bejtja si dhe dy djemtë e këtij të fundit, 10 dhe 13 vjeç. Për ngjarjen, policia dyshoi tek Valter Bami, megjithatë ndaj këtij të fundit u ngrit vetëm akuza e armëmbajtjes pa leje. Bami qëndroi në qeli nën masën e arrestit me burg për 6 muaj. Më 18 Janar 2024, u la i lirë me arrest shtëpie nga Gjykata e Tiranës, për shkak të skadimit të afateve hetimore.
Më 9 Janar të vitit 2022, Gentian Bejtja i shpëtoi një tjetër atentati në afërsi të Niklës në Fushë-Krujë, ndërsa mbeti i plagosur miku i tij 31-vjeçar Klodian Stafuka. Të dy ishin në një automjet kur u qëlluan me armë zjarri. Ngjarja mbetet e pazbardhur. Gentian Bejtja i shpëtoi po ashtu dhe një atentati me eksploziv të ndodhur në Shtator të vitit 2016, kur në mjetit e tij një sasi eksplozivi shpërtheu dhe e plagosi atë.
Gentjan Bejtja u ekzekutua pasditen e 15 marsit brenda oborrit të banesës së Larushk. Autorët dyshohen të kenë qenë katër, tre kanë marrë pjesë në sulm ndërsa tjetri i ka pritur në makinë. Mbi Bejtjan janë qëlluar 50 plumba, 30 prej të cilëve kanë rezultuar fatal dhe e kanë prekur në fytyrë e trup duke i shkaktuar vdekjen e menjëhershme. Vetëm dy të arrestuar ka lidhur me ngjarjen, Ilir Beqarajn dhe Edison Haxhiun. Ilir Beqaraj akuzohet për veprat penale “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe municionit” dhe “Falsifikimi i dokumenteve”, ndëra Edison Haxhiu akuzohet për veprat penale “Sigurimi i kushteve dhe mjeteve materiale për të kryer vrasje”.