Gjykata e Durrësit ka dhënë masën detyrim paraqitje për Bahrie Gjunin, gjyshen e cila rrëmbeu dhe fshehu nipin e saj 3-vjeçar.
Për gati një javë, Bahrie dhe Rexhep Gjuni, e mbajtën të fshehur nipin e tyre të mitur, duke tentuar t’ia merrnin nënës dhe ta rrisnin vetë.
Më 20 prill, ata vendosën ta kthejnë djalin në polici, ndërsa tashmë do të përballen me drejtësinë.
Babai i djalit të mitur ka ndërruar jetë rreth një vit më parë, ndërsa familjarët e tij u shprehën se dëshironin ta rrisnin vetë nipin, pasi u nxirrte mallin e të ndjerit. Ata gjithashtu pretenduan se fëmija kishte nevojë për medikamente që nuk mund t’ia siguronte nëna e tij.
“E kemi vendosur sëbashku me bashkëshortin tim Rexhepin ta merrnin nipin e ta rrisnim vetë sepse ai është djali i djalit tonë. Në këtë mënyrë të shtunën që shkoi e morëm dhe unë u largova nga shtëpia dhe u nisa për në fshatin tim në Gjinaj të Krumës te prindërit e mi. Atje kam fjetur një natë. Ditën tjetër kam shkuar te Vendi i Mirë në fshatin Buzmadh të Kukësit. Në Buzmadh kam fjetur një natë. Ditën e tretë kam shkuar në Kukës te një kushërira ime ku kam fjetur një natë. Pastaj kam shkuar në Tiranë ku kam fjetur në 4 hotele të ndryshme”, ka dëshmuar ajo.