Taksa e banesës, që do të nisë të aplikohet prej 2026, do të rrisë detyrimin për qytetarët dhe për bizneset. Llogaritja e saj do të bëhet bazuar në çmimet që janë sot në treg, ndërsa niveli i taksimit nga 0.05 për qind, që është aktualisht do të variojë në 0.1 deri në 0.3 për qind. Ekspertët thonë, se kjo formulë do të sjellë pabarazi, ndërsa barra edhe kësaj here do të rëndojë sërish mbi taksapaguesit e rregullt.
“Reforma e fundit në fushën e taksës së pasurisë synon të rrisë të ardhurat për bashkitë, duke kaluar nga një sistem i taksimit të bazuar në vlerë për ndërtesat dhe një sistem i thjeshtë tatimor bazuar në sipërfaqen për tokën bujqësore dhe truallin, në një sistem taksimi modern që takson edhe ndërtesat edhe parcelat, bazuar në vlerën e tregut të këtyre pasurive të paluajtshme. Të gjitha pasuritë e paluajtshme të regjistruara do të vlerësohen në bazë të vlerës së tregut”, thuhet në dokumentin qeveritar.
Ekspertët shprehen pesimistë në arkëtimin e kësaj takse, sa kohë që nuk janë adresuar problematika të mëparshme, që sipas tyre mund të bëhen pengesë për vjeljen e saj. Çështja më e mprehtë mbetet informaliteti.
Në Strategjinë Sektoriale të Menaxhimit të Financave Publike, publikuar së fundmi thuhet se nga 4.5 milionë pasuri që ka Shqipëria vetëm 1.2 milionë janë të regjistruara.
Për pjesën e mbetur, pra për 3.3 milionë pasuri të paregjistruara procesi synohet të përmbyllet deri në vitin 2030. Në 2026 parashikohet që të nis zbatimin formula e re e taksimit të banesave, ndërsa në 2028 do të nis taksimi për tokat bujqësore.