Policia ka shkatërruar një bandë të trafikut të shqiptarëve, e cila i merrte nga emigrantët 10,000 paund për të shkuar në Mbretërinë e Bashkuar me avionë privatë dhe kamionë përpara se t’u siguronte atyre dokumente të rreme udhëtimi përmes një kompanie fantazmë që shtirej si “Amazon”.
Shqiptarët Myrteza Hilaj, 50-vjeç dhe Kreshnik Kadena, 37-vjeç, me banim në Leyton në Londrën Lindore, organizuan të paktën nëntë udhëtime të paligjshme emigrantësh në 2016 dhe 2017, tre prej të cilave me avion në një aerodrom në Essex.
Fotot tregojnë avionin e tyre Cessna duke u ndalur nga policia franceze në një aeroport privat pranë Calais përpara se dyshja të zhvillonte një takim në një lokal anglez, por pa e ditur se gjatë gjithë kohës ishin në përgjim nga autoritetet.
Hilaj dhe Kadena u dënuan dje pas një hetimi tetë-vjeçar nga Agjencia Kombëtare e Krimit (NCA), e cila gjithashtu çoi para drejtësisë katër persona që merreshin me falsifikimin e dokumenteve, prej të cilëve, një shtetas shqiptar dhe një ukrainas.