Këshilli i Mandateve në Kuvend, do të mblidhet mesditën e kësaj të hëne, për të diskutuar në lidhje me mandatin e ish-ministres për Evropën dhe Punët e Jashtme, Olta Xhaçka. Kjo e fundit është akuzuar prej më shumë se një viti nga opozita, se ka shkelur ligjjin për konfliktin e interesit, pasi gjatë kohës kur ajo ishte pjesë e kabinetit qeveritar, bashkëshorti i saj Artan Gaçi ka fituar statusin e investitorit strategjik.
Në mbledhjen e sotme, që është thirrur nga kryeparlamentarja Lindita Nikolla, socialistët pritet që të mos bëhen pengesë për rastin e Xhaçkës.
Këshilli për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetin do të mblidhet për të shqyrtuar konstatimin e pavlefshmërisë dhe të mbarimit të mandatit të deputetes socialiste Olta Xhaçka në zbatim të rekomandimeve në raportin e Këshillit të Legjislacionit dhe vendimit nr. 1/2023 të Gjykatës Kushtetuese.
Mbledhja e Këshillit të Mandateve do të konfirmohej nga kryetarja e Kuvendit, Lindita Nikolla, gjatë takimit të Konferencës së Kryetarëve, të zhvilluar mëngjesin e 3 prillit.
Kërkesën për mbledhjen e Këshillit të Mandateve e ka bërë kreu i Grupit Parlamentar demokrat, Gazment Bardhi, i cili akuzoi mazhorancën – ashtu si edhe më herët – se po bllokonte vendimet e Gjykatës Kushtetuese lidhur me çështjen e Xhaçkës.
Gjykata Kushtetuese urdhëroi rreth 1 vit më parë që Kuvendi t’i dërgojë mandatin e Xhaçkës që pikërisht Kushtetuesja të vendoste nëse ka konflikt interesi.
Kreu i Grupit Parlamentar të fraksionit të Rithemelimit brenda Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, ka pretenduar se deputetja Olta Xhaçka po mbrohet në kundërshtim me Kushtetutën, edhe pse ajo, sipas selisë blu, ka grabitur 10 mijë metra katrorë tokë, për të ndërtuar një resort turistik.
Paralelisht me betejën për mandatin e Xhaçkës në Kuvend, SPAK ka vendosur sekuestrimin e investimit strategjik të bashkëshortit të saj në bregdetin e Himarës. Për këtë resort që do të ndërtohej është vënë në pranga kryebashkiaku në detyrë i Himarës, Jorgo Goro, ndërkohë që ndaj vetë Artan Gaçit, deri tani gjykata nuk ka dhënë asnjë masë sigurie.
Opozita iu drejtua Gjykatës Kushtetuese në janar 2023, ku kjo gjykatë rrëzoi si antikushtetues një vendim të Kuvendit për të mos e dërguar çështjen Xhaçka në Kushtetuese – por zbatimi i këtij vendimi po zvarritet prej më shumë se një viti.
Procedura parlamentare për zbatimin e këtij vendimi ka ngecur prej muajsh në zyrën e Nikollës, por ajo e ka justifikuar mosveprimin e saj me arsye të ndryshme, që nga axhenda e ngjeshur deri tek mungesa e normalitetit në Kuvend.
Ligjërisht, Këshilli i Mandateve kryesohet nga Kryetari i Kuvendit dhe shqyrton rastet e pazgjedhshmërisë, sipas nenit 69 të Kushtetutës, si dhe bën verifikimin e mandatit të deputetit.