Ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Anila Denaj ishte në Vlorë ku vizitoi fermat blegtorale në Bunavi. Gjatë bashkëbisedimit me blegtorët, Denaj theksoi se formalizimi përmes kontratave në marrëdhënien blegtor-pikë grumbullimi është rruga e vetme për të garantuar një treg të sigurt dhe me çmime të balancuara.
Një analizë e Ministrisë së Bujqësisë tregon se nëse lënda e parë e ushqimit prodhohet nga vetë blegtorët dhe nuk sigurohet nga diku tjetër, kjo do të ulte kostot me 50%. Denaj sugjeroi që të gjithë blegtorët të realizojnë kontrata me përpunuesit e qumështit, me qëllim që të mbrojnë dhe formalizojnë prodhimet e tyre.
Lidhja e kontratave në sektorin e blegtorisë, të perimeve apo në sektorë të tjerë, bën të mundur që prodhuesit e lëndës së parë të kenë një farë sigurie, të arrihet cilësia e kërkuar dhe të kenë një çmim të garantuar. Nga ana tjetër, mungesa e kontratave do të nxirrte jashtë funksionit rolin e ministrisë si rregullatore.
“Ne ju kërkojmë një kontratë, pra shteti nuk funksionon pa një kontratë në zinxhirin tuaj dhe t’ju mbrojë deri në pagesën tuaj. Çdo subvencion, që të ketë efektivitet do mbështetet patjetër në formalizim. Formalizimi nuk është thjeshtë mit, formalizimi është të ketë një kontatë që e rregullon marrëdhënien”, tha ministrja.
Denaj njoftoi që në ditët në vijim pritet të ketë takime me përfaqësues tjerë të blegtorëve dhe kompanive të përpunimit.