SPAK ka vënë nën masën e sekuestros, pjesën e mbetur të investimit strategjik të Artan Gaçit në zonën e bregdetit në Himarë. Hetuesit e Byrosë Kombëtare të Hetimit dhe Oficerët e Policisë Gjyqësore të Policisë së Shtetit, kanë marrë masat për ekzekutimin e urdhrit të Prokurorisë së Posaçme datë 28.03.2024, nxjerrë mbi bazën e vendimit penal të mësipërm të marrë nga Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar.
E gjithë sipërfaqja e tokës bujqësore prej 10 592 m2, e cila i është nënshtruar procedurave të sekuestros preventive në dy faza, është në fakt pronësi shtet dhe rezulton të jetë tjetërsuar e më pas zhvilluar nga një subjekt privat.
“Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, ka regjistruar procedimin penal Nr. 189, të vitit 2023, për veprat penale “Shpërdorimi i detyrës”, kryer në bashkëpunim, parashikuar nga nenet 248 e 25, të Kodit Penal, “Falsifikimi i dokumentave”, më shumë se një herë, parashikuar nga neni 186/2, i Kodit Penal, dhe “Falsifikimi i vulave, i stampave ose i formularëve”, më shumë se një herë, parashikuar nga neni 190/2 i Kodit Penal.
Pas kryerjes së veprimeve hetimore, me kërkesën e Prokurorisë së Posaçme, Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar me Vendimin Nr. 176, datë 28.03.2024, ka vendosur:
1. Pranimin e kërkesës së Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, me nr. 176 regjistri themeltar, datë regjistrimi 19.03.2024, me palët dhe objektin e përcaktuar në pjesën hyrëse të vendimit;
2. Caktimin e masës së sigurimit pasuror “sekuestro preventive”, parashikuar nga neni 274 i Kodit të Procedurës Penale, mbi pasurinë e paluajtshme të identifikuar si “Pasuria numër 36/341, sipas AMTP nr. 9715 datë 07.02.1994, aktualisht e identifikuar në vërtetimet hipotekorë me nr. 112, datë 16.04.2020, dhe nr. 1116, datë 24.12.2013, e cila është konturuar nga Bashkia Himarë në zonën me nr. Pasurie 36/35 me sipërfaqe 5080 m2;
Hetuesit e Byrosë Kombëtare të Hetimit dhe Oficerët e Policisë Gjyqësore të Policisë së Shtetit, kanë marrë masat për ekzekutimin e urdhrit të Prokurorisë së Posaçme datë 28.03.2024, nxjerrë mbi bazën e vendimit penal të mësipërm të marrë nga Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar.
Në vijimësi edhe të njoftimeve të mëparshme të bëra nga Prokuroria e Posaçme, (sipas linkut: https://spak.gov.al/njoftim-per-shtyp-date-23-03-2024-2/ ) nga hetimi paraprak i kryer në kuadër të këtij procedimi penal ka rezultuar se, persona të cilët tashmë kanë pozitën procedurale të shtetasve nën hetim, kanë realizuar me veprime konkrete zhvendosjen faktike në terren të një sipërfaqe tokë bujqësore prej 5 080 m2, duke ja mbivendosur atë një pasurie tjetër në pronësi të shtetit. Shtetasit nën hetim kanë tejkaluar të gjitha kompetencat që ligji i njeh, duke u shprehur për ekzistencën e një mbivendosje pasurish të paluajtshme në terren dhe më pas duke konfirmuar një plan vendosje, e cila nuk i korrespondon rrethanave faktike në terren. Kjo planvendosje ka shërbyer jo vetëm për transaksionet e mëpasshme ndërmjet subjekteve të ndryshëm por edhe për zhvillimin e pronës, përfshirë këtu pajisjen me leje ndërtimi për një kompleks turistik në emër të një shoqërie tregtare, i cili do të ndërtohet mbi këtë sipërfaqe toke, por edhe mbi atë prej 5 512 m2 të sekuestruar më parë nga Prokuroria e Posaçme. E gjithë sipërfaqja e tokës bujqësore prej 10 592 m2, e cila i është nënshtruar procedurave të sekuestros preventive në dy faza, është në fakt pronësi shtet dhe rezulton të jetë tjetërsuar e më pas zhvilluar nga një subjekt privat”, thuhet në njoftimin e SPAK.
Në lidhje me tjetërsimin e pronave në Himarë, me përfitues fundor Artan Gaçin, SPAK ka vënë në pranga kryebashkiakun në detyrë të Himarës, Jorgo Goron, ndërkohë që dhe vetë burri i deputetes socialiste është thirrur për t’u marrë në pyetje, edhe pse deri tani ndaj tij nuk është dhënë asnjë masë sigurie.
Goro, në cilësinë e kryetarit të bashkisë në bashkëpunim me Drejtorinë e Mbrojtjes dhe Menaxhimit të Tokës, drejtuar nga Jerasimo Bashi, ka dorëzuar pranë organeve kompetente dokumente tërësisht të falsifikuara duke bërë të mundur më pas regjistrimin e një sipërfaqe prej 5512 m2 tokë bujqësore në pronësi shtet, në favor të subjektit privat.
Kjo sipërfaqe toke e ndodhur në Dhërmi, Vlorë, është tjetërsuar në favor të një subjekti privat dhe ky tjetërsim është shoqëruar me përftim material të padrejtë për Stavri Mëhillin. Në këtë rast, Goro ka pasur bashkëpunëtor edhe zyrtarët përgjegjës, kreun e kadastrës, Bilbil Aliaj dhe juristin Vezir Gjikoka, të cilët janë lënë në masën “arrest shtëpie”. Mbi këtë pronë, pasi është blerë, është marrë statusi i investitorit strategjik nga Artan Gaçi, ish-deputeti i Partisë Socialiste dhe njëkohësisht bashkëshorti i ish-ministres e deputetes Olta Xhaçka.
Goro akuzohet edhe për një rast tjetër, ku po në bashkëpunim me kreun e Drejtorisë së Mbrojtjes dhe Menaxhimit të Tokës Jerasimo Bashi, ka realizuar me veprime konkrete zhvendosjen faktike në terren të një sipërfaqe tokë bujqësore prej 5080 m2, duke ja mbivendosur atë një pasurie tjetër në pronësi të shtetit.
Ndaj Bashit nuk është bërë e mundur ekzekutimi i masës së sigurimit personal me karakter shtrëngues “Arrest në shtëpi”, pasi ai nuk është gjetur. Dhe pronari përfitues, Stavri Mëhilli, është shpallur në kërkim.
Operacioni për arrestimin e Goros erdhi pas padisë së bërë nga Fredi Beleri, kryebashkiaku i zgjedhur i Himarës, që ndodhet pas hekurave dhe është dënuar për shitblerje votash.
Beleri paditi Jorgo Goron për veprat penale ‘Shpërdorim detyre’, ‘Falsifikim i dokumenteve, nga personi që ka për detyre të lëshojë aktin; Foto Pavllo Mehilli (trashëgimtarët), banues në Dhërmi, për kryerjen e veprës “Falsifikimi i dokumenteve”, “Pastrimi i produkteve te veprës penale”; Artan Gaçin, për kryerjen e veprës penale “Falsifikimi i dokumenteve”, dhe “Pastrimi i produkteve të veprës penale” si dhe Olta Xhaçkën, për kryerjen e veprës penale “Shpërdorimi i detyrës”.