Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) ka mbyllur hetimet për koncesionin e sterilizimit dhe ka dërguar për gjykim ish-ministrin e Shëndetësisë, Ilir Beqaj dhe 8 të tjerë. Ish-ministri i Shëndetësisë Ilir Beqaj akuzohet për veprën penale shpërdorim detyre. Në bankën e të akuzuarëve Beqaj do të jetë së bashku me ish-zëvendësin e tij në Ministri, Klodian Rrjepaj si edhe biznesmenin Ilir Rrapaj që mori koncesionin e sterilizimit, të dy në burg që prej gushtit të kaluar, aty ku u janë komunikuar edhe akuzat.
Klodian Rrjepaj dhe Ilir Rrapaj akuzohen për ‘mashtrim’. Ndërkohë mbi zëvëndës ministrin Rrjepaj rëndon edhe akuza e falsifikimit të dokumentave dhe shpërdorim detyre. SPAK ka dërguar për gjykim edhe 6 ish-zyrtarë të Ministrisë së Shëndetësisë të cilët kanë qenë anëtarë të Komisionit të tenderit të sterilizimit. Saimir Kadiu drejtor ekonomik dhe Marsela Serjanaj drejtoreshë juridike të cilët janë në arrest shtëpie, dhe mjeku Arben Gjata, Naile Ajazi, Genc Byrazeri dhe Petro Mersini që deri më tani kanë pasur masën ‘detyrim me paraqitje’. Ish-zyrtarët akuzohen për ‘falsifikim dokumenti’ dhe ‘shpërdorim detyre’.
Hetimet për koncesionin e sterilizimit janë kryer nga prokurorët Edvin Kondili dhe Ened Nakuçi, ndërsa SPAK akuzon për shkelje në procesin e koncesionit të sterilizimit me vlerë 100 milionë euro dhe afat 10-vjeçar, të fituar nga biznesmeni Ilir Rrapaj.