Këtë të shtunë do të zhvillohet në Gjykatën e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar seanca gjyqësore për masat e sigurisë, për 8 drejtorët e Bashkisë së Tiranës të arrestuar në kuadër të hetimeve në dosjen “5D”. Mariglen Qato, Redi Molla dhe Taulant Tushe, do përballen me togat e zeza me pranga në duar, pasi janë lënë më herët në masën e sigurisë “Arrest me burg”. Ndërsa të tjerët. Enton Punavija, Julian Zanaj, Albano Janku, Nestor Muhamellari, Elantina Zere dhe Deborah Keçi do të njihen me masën “Detyrim paraqitje”.
Sipas njoftimit të SPAK, për katër vite rresht që Molla ka qenë në krye të “Ujësjellës Kanalizime Tiranë”, ka shpallur fitues kompaninë “5D Konstruksion” kur në fakt pronarët e vërtetë ishin ai dhe Mariglen Qato. Kompania është regjistruar me emrin “Igor Electrik”, më pas e ka ndërruar në “V.A.S Construction” dhe në fund në “5D Construction”.
“5D Construction” ka fituar të paktën 16 tendera në Bashkinë e Tiranës dhe në institucionet e varësisë, përfshirë Ujësjellës-Kanalizime dhe “Tirana Parking”, me një vlerë prej afro 11 milionë euro.
Nga hetimet rezulton se Molla dhe Qato e kanë zotëruar këtë shoqëri tregtare në mënyrë indirekte, duke përdorur persona të tjerë, Eduart Meta, Muhamet Petriti dhe Nestor Muhamellari, si ortakë fiktiv, me të cilët kanë pasur lidhje shoqërore dhe lidhje miqësore. Madje, në katër procedura, kur Qato ka ushtruar funksionin e Drejtorit të Departamentit Mbështetës në shoqërinë “Ujësjellës Kanalizime Tiranë”, ka patur edhe cilësinë e anëtarit të Komisionit të Vlerësimit të Ofertave dhe ka qenë pjesë e marrjes së vendimit për shpalljen e fituesit të procedurës së prokurimit, për kompaninë e tij.
Tushe, nga ana tjetër akuzohet se në cilësinë e Drejtorit të Përgjithshëm të Drejtorisë së Planifikimit të Punëve Publike dhe të anëtarit të Komisionit të Vlerësimit të Ofertave, ka pasur dijeni në lidhje me ortakët e vërtetë të shoqërisë “5D Konstruksion” dhe e ka favorizuar.
Elantina Zere në cilësinë e titullares së “Tirana Parking”, ka favorizuar në një procedurë prokurimi operatorin ekonomik “V.A.S Konstruksion”. E njëjta akuzë rëndon edhe mbi Debora Keçin, në cilësinë e titullares së Klubit Sportiv “Tirana”. Si Zere dhe Keçi kanë pasur komunikime direkte me Muhamellarin, administratorin e “5D Konstruksion”. Vlerësimin e ofertave të pjesëmarrësve në tender e kanë bërë vetë punonjës të shoqërisë “5D Konstruksion”, pasi Muhamellarit i kanë dhënë user-at e anëtarëve të KVO-së.