Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka firmosur një tjetër masë sigurie për Taulant Tushën, i cili aktualisht ndodhet pas hekurave të burgut për inceneratorin e Tiranës. SPAK, ka dalë në përfundimin se Taulant Tushe, ish-drejtor i Punëve Publike në Bashkinë e Tiranës, në cilësinë anëtarit të Komisionit të Vlerësimit të Ofertave ka favorizuar kompaninë “5D”. Sipas SPAK, ekzistojnë dyshime se Tushe ka pasur dijeni lidhur me ortakët e vërtetë të shoqërisë “5D Konstruksion” sh.p.k dhe e ka favorizuar këtë kompani në dhënien e tenderave.
Ndaj edhe ndaj tij janë ngritur 2 akuza të reja penale.
“Caktimin ndaj personit nën hetim T.T. të masës së sigurimit “arrest në burg”, e parashikuar nga neni 238 i K.Pr.Penale, i dyshuar për veprat penale: (i) “Shkelja e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”, të kryer në bashkëpunim, të parashikuar nga neni 258 dhe 25 i Kodit Penal, sipas përmbajtjes së kësaj dispozite para ndryshimeve të kryera me ligjin nr.43/2021, datë 23.03.2021; (ii) “Shkelja e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”, të kryer në bashkëpunim, e kryer dy herë, të parashikuar nga neni 258/2 dhe 25 i Kodit Penal,”-bën me dije SPAK.