Në pjesën e tretë të emisionit “Top Story”, moderuar nga Grida Duma në Top Channel u diskutua mbi procesin e vetëpastrimit në policinë e shtetit dhe efektivët të cilët janë përfshirë në grupe kriminale.
Duke marrë në analizë rastin e efektivit të Operacionales Ervis Shkurta i njohur si Visi i Pazarit, i cili u arrestua më 23 mars nën akuzën se ndihmonte grupet kriminale për të shkëmbyer lëndë narkotike.
Gazetarja e Top Channel, Dorjana Bezat duke dhënë detaje për rolin e Shkurtës, tha se ky i fundit përzgjidhte vendin ku grupi kriminal ku ishte i përfshirë, mund të bënte shkëmbimin e drogës.
“Hetimi ka nisur në datën 15 janar ku SPAK i ka dërguar një shkresë prokurorisë së Tiranës për të hetuar 2 persona që furnizonin me kokainë zona të kryeqytetit. Pasi magazinonin kokainën, ata kontaktonin grupe të ndryshme kriminale. Hetimi është ende në vijim dhe pritet që të kemi persona të tjerë që mund të arrestohen.
Pjesë e këtij grupi ishte edhe një person i quajtur “Visi i Pazarit”, punonjës policie që më pas bënë që prokuroria të hetonte më tej. Ky person ujepte të dhëna se ku do të kryhej trafiku i drogës. Ishte i shqetësuar ditën e operacionit. Ajo zonë ishte përzgjedhur nga “Visi i Pazarit” si një zonë e pa mbuluar ngakamerat” – u shpreh Bezat.
Gazetari Xhevahir Zhabina tha se është për t’u përshëndetur fakti që operacioni i SPAK nuk u dekonspirua ndërsa duke përmendur edhe ish-drejtuesin e arrestuar, Oltion Bistrin, ngriti shqetësimin se Forcat Operacionale mund të jenë dekonspiruar nga vetë ai në aksionet e mëparshme.
“Është efektiv i Operacionales. Ky është shqetësimi që duhet të kemi pasi më përpara kishim ish-drejtorin e Operacionales që dekonspironte kolegët e tij por ka dyshime që mund ta ketë kryer këtë edhe gjatë kohës që drejtonte Operacionalen. Aksioni i fundit është për t’u përshëndetur pasi nuk është marrë vesh para se të ndodhë Ajo që mendoj se duhet të diskutohet është sesi duhet të bëhet vetëpastrimi i policisë së shtetit”- u shpreh Zhabina ndër të tjera.
Ndërsa gazetarja e Top Channel Dorjana Bezat e cila dha edhe shifra, tha se deri më tani, në 3 muaj, rreth 120 punonjës policie janë arrestuar apo vënë nën hetim si të përfshirë në grupe kriminale.