SPAK nis hetimet ndaj drejtorit të Tatimeve, Ceno Klosi.
Prokuroria e Posaçme ka konfirmuar se ka nisur hetimet ndaj kreut të Tatimeve, për të cilin u regjistruan mbi bazën e dy kallëzimeve të bëra nga Partia Demokratike.
“Mbi bazën e kallëzimit penal të dërguar nga grupi parlamentar i subjektit politik Partia Demokratike, Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka regjistruar Procedimin Penal Nr.259/2023 datë 13.12.2023, për veprat penale “Korrupsioni pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike ”, “Shpërdorimi i detyrës”, “Falsifikim i dokumenteve” dhe “Mashtrimi””, njoftoi prokuroria.
Sikurse rezulton nga të dhënat zyrtare të institucionit të akuzës, 7 muaj pas kallëzimit të parë, opozita ka depozituar një tjetër kallëzim ndaj drejtorit të Përgjithshëm të Tatimeve Klosi, shkruan news 24.
“Për të njëjtin fakt Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka regjistruar Procedimin Penal Nr.83/2023 datë 03.07.2023, mbi bazën e kallëzimit penal të dërguar gjithashtu nga subjekti politik Partia Demokratike e Shqipërisë, për veprat penale “Shpërdorim i detyrës”, “Falsifikim i dokumenteve” dhe “Mashtrimi”.
SPAK ka vendosur bashkimin e dy procedimeve në një të vetëm.
Ceno Klosi, ka punuar për 13 vite si specialist dhe drejtues sektorësh në banka të nivelit të dytë dhe më pas gjatë periudhës 2015-2021 ka mbajtur pozicionin si Drejtor i Departamentit Ekonomik në OSHEE.
Në qershor të 2021 u emërua Drejtor i Përgjithshëm i Agjencisë Kombëtare Ujësjellës-Kanalizime dhe Mbetjeve të ngurta, ndërsa me VKM 625, datë 22/10/2021 u emëruar drejtor i Përgjithshëm i Tatimeve.