Komiteti i Mbikëqyrjes së Dhomës së Përfaqësuesve po kërkon dokumente në lidhje me investimin prej 2 miliardë dollarësh nga një fond saudit në firmën me kapital privat të themeluar nga Jared Kushner, dhëndri dhe njëherësh ish-këshilltari i Donald Trump, shkruan The New York Times.
Gjatë periudhës kur shërbeu si këshilltari i Presidentit, Jared Kushner krijoi një raport të ngushtë me Princin e Kurorës Mohammed bin Salman, udhëheqësin de facto të Arabisë Saudite.
Një komitet i Dhomës së Përfaqësuesve pohoi javën e shkuar se po hetonte nëse Jared Kushner, dhëndri dhe ish-këshilltari i ish-presidentit Donald J. Trump, negocioi pozicionin e tij qeverisës me sauditët për të marrë mbrapsht një investim prej 2 miliardë dollarësh në firmën e tij të re me kapital privat.
Përfaqësuesja Carolyn B. Maloney që drejton Komitetin e Dhomës për Mbikëqyrjen dhe Reformën, i dha Kushner një afat dy-javor për të dorëzuar dokumentet në lidhje me investimin e fondit saudit në firmën e tij “Affinity Partners”. Ajo gjithashtu kërkoi çdo korrespondencë personale midis Kushner dhe udhëheqësit de fakto të mbretërisë saudite, princit të kurorës Mohammed bin Salman, gjatë ose pas administratës Trump.
Në letrën e saj drejtuar Kushner, Maloney i shkruan se komiteti po heton “nëse interesat tuaja personale financiare ndikuan në mënyrë të pahijshme në politikën e jashtme të SHBA-së gjatë administrimit të vjehrrit tuaj, ish-presidentit Trump“.
Në një deklaratë, një zëdhënës i zotit Kushner tha: “Gjatë arritjes së gjashtë marrëveshjeve të paqes në Lindjen e Mesme, zoti Kushner iu përmbajt plotësisht të gjitha udhëzimeve ligjore dhe etike si gjatë shërbimit të tij qeveritar ashtu edhe pas tij.”
“Ai është krenar që është një prej shumë aktorëve të sektorit privat që çojnë përpara lidhjen midis amerikanëve, izraelitëve dhe arabëve për të inkurajuar përparimin e vazhdueshëm rajonal”, vazhdoi deklarata.
Një zëdhënës i qeverisë Saudite dhe Fondit të Investimeve Publike Saudite, që është subjekti që bëri investimin prej 2 miliardë dollarësh, nuk i është përgjigjur kërkesës.
Letra e Maloney i referohet zbulimeve, të publikuara për herë të parë nga The New York Times në fillim të prillit, se fondi kryesor i pasurisë sovrane i qeverisë saudite investoi 2 miliardë dollarë në firmën e Kushner, pavarësisht kundërshtimeve nga një prej komiteteve të saj të brendshme për mungesën e përvojës në investime të rëdnëishsme. Ky investim erdhi më pak se gjashtë muaj pasi Kushner la detyrën në Shtëpinë e Bardhë – një rol që i kishte dhënë atij mbikëqyrje të gjerë të marrëdhènieve diplomatike të administratës në Lindjen e Mesme.
Gjatë kohës së tij në qeveri, Kushner krijoi një raport të ngushtë me Princin Mohammed, edhe pse princi u përball me kritika për të drejtat e njeriut dhe luftën e Arabisë Saudite në Jemen.
Më vonë, edhe kur investimi i planifikuar prej 2 miliardë dollarësh në firmën me kapital privat të Kushner hasi skepticizmin e zyrtarëve të Fondit të Investimeve Publike, bord i udhëhequr nga Princi Mohammed votoi për ta miratuar.
Ekspertët e etikës kanë ngritur shqetësime për investimin e fondit saudit në firmën e Kushner, e cila sipas dosjeve duket se përbën shumicën dërrmuese të aseteve prej 2.5 miliardë dollarësh. Senatorja Elizabeth Warren, demokrate e Masaçusets, i ka kërkuar Departamentit të Drejtësisë që “të hedhë një vështrim të ashpër” nëse Kushner ka shkelur ndonjë ligj penal.
Në letrën e saj, Maloney vuri në dukje se kompania mëmë e “Affinity Partners” ishte themeluar më 21 janar 2021, një ditë pasi Kushner u largua nga Shtëpia e Bardhë. “Marrëdhënia juaj e ngushtë me Princin e Kurorës bin Salman, pozicionet tuaja pro-Saudite gjatë administratës Trump dhe vendimi i PIF për të financuar pjesën më të madhe të sipërmarrjes suaj të re, vetëm gjashtë muaj pas përfundimit të mandatit tuaj në Shtëpinë e Bardhë”, shkroi ajo “jep përshtypjen e një marrëveshjeje përfitimi që lidhet me punën tuaj në politikën e jashtme”
Në vend që të pretendonte shkeljen e ndonjë ligji ekzistues, Maloney shkroi se hetimi do të kërkonte të mblidhte informacion nëse nevojiten ligje më të rrepta për të frenuar ish-zyrtarët publikë që të bëjnë biznes me ish homologët e tyre.
Komiteti i Mbikëqyrjes së Dhomës së Përfaqësuesve ka shqyrtuar si administratën Trump ashtu edhe marrëdhëniet e saj me Arabinë Saudite në të kaluarën. Në vitin 2019, ajo hetoi dhënien e lejes së sigurisë nga Shtëpia e Bardhë për Kushner, pavarësisht flamujve të kuq të ngritur nga zyrtarët e inteligjencës, dhe lëshoi raporte mbi gatishmërinë e administratës për të ndarë teknologjinë e energjisë bërthamore me mbretërinë.
Shënim: Në një deklaratë, një zyrtar i “Affinity Partners” (Kompania që pritet të investojë në Sazan) tha se nuk ishte përcaktuar nëse fondet saudite mund të jenë pjesë e ndonjë projekti që Kushner po shqyrton në Ballkan.