Detaje të reja zbardhen nga vrasja e Gentian Bejtjas. Sipas dëshmive të mbledhura në zonë, raporton gazetarja Glidona Daci, 42 vjeçari ka qenë duke punuar tek shtëpia e prindërve e cila është ngjitur me shtëpinë e tij.
Në momentin që Gentiani ka shkuar në shtëpinë e tij dhe është afruar te rruga kryesore, ka ardhur “Land Roveri” dhe dy persona kanë dalë nga makina, ndërsa dy të tjerët kanë qenë po ashtu te armatosur dhe të maskuar, por kanë qëndruar brenda automjetit.
Dy autorët e dyshuar kanë hapur zjarr në drejtim të tij. Bejtja ka tentuar që t’u shmanget plumbave dhe është afruar në drejtim të hyrjes së serës aty ku humbi jetën. Prindërit kanë dëgjuar të shtënat dhe kanë vrapuar për tek shtëpia e tij.
Vlen të theksohet se pak para orës 16:25 kur ka ndodhur ngjarja nuk ka pasur drita në zonë. Hetuesit bëjnë me dije që kamerat tregojnë momente para dhe pas ngjarjes, por nuk është filmuar momenti i ngjarjes, sepse duheshin disa minuta për t’i rindezur. Ende nuk është e qartë se nga kanë ardhur autorët, por dyshohet se janë larguar në drejtim të Thumanës.
Në fshatin Hasan është gjetur makina e djegur, së bashku me armët. Automjeti me të cilin u krye atentati rezulton i vjedhur, por që ende nuk është zbuluar se ku, ndërkohë që targat e tij janë vjedhur në Tiranë rreth një vit më parë.