Detaje të reja janë bërë me dije në lidhje me ekzekutimin e Genjtjan Bejtjas një ditë më parë brenda oborrit të banesës në Larushk. Raportohet se ai është qëlluar me 30 plumba kallashnikovi nga një distancë e afërt. Pjesa më e madhe e plumbave e kanë kapur në fytyrë dhe trup. Në banesë me viktimën ka qenë vetëm nëna e tij, pasi anëtarët e tjerë i kishte larguar pas atentatit të 4 korrikut 2023, ku iu vra kunati dhe plagos djali i mitur. Dyshohet se një informator i atentatorëve ka qëndruar për muaj me radhë pranë shtëpisë së Bejtjas dhe ka pritur që ai të shfaqet në banesë…dhe në këtë moment të kryehej ekzekutimi i tij.
Kjo nuk ishte hera e parë që i bënin atentat. Herën e parë, u tentua të vritej në shtator të vitit 2016, ndaj tij u bë një atentat me tritol, kur Bejtja po udhëtonte me makinën e tij tip “Tuareg”, në fshatin Nikël të Krujës, kur nga poshtë mjetit shpërtheu eksplozivi që e dëmtoi rëndë në këmbë. Më pas, në 9 janar të vitit 2022 Gentian Bejtja, ish-polic burgu, i shpëtoi një atentati me breshëri kallashnikovi, në afërsi të Niklës në Fushë-Krujë, por u plagos në krah miku i tij 31 vjeçar Klodian Stafuka. Herën e tretë, shënjestra ishte ai, por plumbat për të i mori kunati i tij, Ramazan Sino (shoferi personal i shefit të Prokurorisë së Apelit në Tiranë) dhe iu plagos djali, Alvi Bejtja, asokohe 13 vjeç.
Bejtja ishte njëri nga njerëzit që piu kafe me Enver Stafukën, pak minuta para se ky të rrëmbehej dhe të zhdukej në mes të Fushë-Krujës, natën 8 shkurtit 2015. Po ashtu, ai ishte i njohur edhe si mik i Durim Bamit, person me rrezikshmëri të lartë shoqërore, i cili ka qenë i dyshuar për një seri ngjarjesh në zonën e Fushë-Krujës, por jo vetëm. Edhe vetë Bejtja është përmendur në disa ngjarje kriminale.
Ai u përmend shumë si personi i cili dyshohet që së bashku me Enver Stafukën kishin vjedhur makinën me të cilën u krye vrasja e kryekomisar Dritan Lamajt 24 shkurt 2013. Por me vendim gjykate Betja dhe Stafuka u shpallën të pafajshëm me 13 nëntor 2013. Gjithashtu, Gentian Bejtja është shoqëruar edhe për dy atentate, atë të vrasjes së Ilias Çalit në autostradën Tiranë-Durrës, në prill të 2022-it dhe atentatit ndaj Marklen Hakës në qershor po të vitit të shkuar, por nuk u gjetën prova për ta fajësuar si autor.