Hetimet për vrasjen e të riut shqiptar, Kasem Kasmi, vazhdojnë të pandërprera nga hetuesit e policisë së Frosinones, për të rindërtuar motivin e saktë të tragjedisë që tronditi një provincë të tërë.
Ditën e djeshme në morgun e spitalit ‘Fabrizio Spaziani’ në Frosinone është bërë autopsia e trupit të Kasmit, i cili u qëllua në fyt nga 23-vjeçari Mikea Zaka. Mjeku i caktuar nga zv.prokurori Manuel Samuel Amari, do të bëjë të ditur rezultatet pas 60 ditësh. Ndërkohë, hipoteza kryesore mbi të cilën hetuesit po përqendrohen, ka të bëjë kryesisht me paratë.
Korrikun e kaluar, në shtëpinë e Mikea Zakës u gjetën 20 mijë euro cash dhe versioni i dhënë nga vrasësi, në lidhje me një grindje mes grupeve për çështje që lidhen me një grua, duket se nuk ka asnjë bazë.
Përveç motivit, për hetuesit mister mbetet edhe arma e krimit, e cila nuk është gjetur akoma.
Krimi i rëndë u regjistrua mbrëmjen e së shtunës në qendër të Frosinones, jashtë një lokali, ku Kasmi u qëllua me të paktën tre plumba nga 23-vjeçari shqiptar Zaka. Ky i fundit ka përfunduar në burg me akuzën e vrasjes dhe vrasjes së trefishtë të mbetur në tentativë.